E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moxhi: Ronaldinjo, blerja më e keqe e vitit

Luçiano Moxhi është shprehur kundër politikës së ndjekur nga Milani në merkato dhe mendon se do të ishte më mirë sikur kuqezinjtë ta kishin lënë Ronaldinjon te Barcelona. I akuzuar si projektuesi i "Calciopolit", ish-drejtuesi i Juventusit tha se mesfushori brazilian është blerja më e keqe e merkatos së verës. Edhe pse aktualisht është i përjashtuar nga çdo aktivitet që ka lidhje me futbollin, Moxhi nuk ka frikë të dalë përpara mediave për të dhënë opinionet e tij rreth ngjarjeve të Serisë A. Fjalët më të fundit të "Big Luçianos" pritet të shkaktojnë reagimin e drejtuesve të Milanit, mbi të gjitha të zv/presidentit Adriano Galiani, i cili solli ish-lojtarin më të mirë në botë në "San Siro". "Blerja më e keqe? Do të cilësoja atë të Ronaldinjos", pohoi Moxhi për "7itv.tv". "Jo sepse ky lojtar nuk i meriton paratë që Milani pagoi te Barcelona, por sepse ritmi i tij i lojës nuk është i lartë, pavarësisht se ka dhuntinë që të bëjë gjithçka kur ka topin në këmbë. Në kampionatin italian gjërat funksionojnë ndryshe: edhe kur ritmi i lojës rritet, Ronaldinjo nuk ndryshon. Ai shndërrohet në spektatorin e thjeshtë të ndeshjes. Në momente të caktuara arrin të bëjë diçka nga një goditje dënimi, por kjo nuk më duket e mjaftueshme. Mendoj se e ka të vështirë të luajë në repartin sulmues përkrah Kakasë. Milani bëri një gabim të madh, duke e afruar në skuadër; ndoshta do të kishte qenë më mirë nëse do të kishin blerë një mbrojtës". Më tej, 71-vjeçari "shigjetoi" edhe drejtuesit e Juventusit, për të cilët mendon se janë treguar të pafuqishëm që të afrojnë në skuadër lojtarë të klasit botëror. "Një tjetër blerje e dështuar është edhe Andrade. E them këtë jo vetëm për faktin se lojtari ishte i dëmtuar, por edhe sepse ai nuk është i përshtatshëm të luajë në Itali. Për më tepër, përgjegjësit e merkatos bardhezi nuk i njihnin karakteristikat dhe të kaluarën e këtij lojtari", deklaroi Moxhi. Në fund ai ka folur edhe për skuadrat që rrezikojnë të bien nga kategoria. "Nuk mund të pretendoj se mund të gjej me saktësi se cilat skuadra do të bien në Serinë B, shtoi ai. Gjithsesi, mendoj se skuadrat që renditen në vendet e fundit janë të gjitha të rrezikuara. Emrat? Kievo, Bolonja dhe njëra ndërmjet Rexhinës e Torinos do të luftojnë deri në javën e fundit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›