E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barazim në derbin anglez të Champions

Ka përfunduar në barazim 1-1 sfida mes Arsenalit dhe Liverpulit, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, duke lënë gjithçka hapur për takimin e kthimit që do të zhvillohet në javën e ardhshme. Në fillimin e ndeshjes ishte Liverpuli që ka epërsinë në lojë, duke provuar të gjejë një gol të shpejtë. Por më pas, skuadra e Benitez ka vështirësi të përballojë presionin e vendasve që i afrohen golit me anë të Van Persit. Pas disa rasteve radhazi, vjen avantazhi për "topçinjtë" me Adebajor, i cili në minutën e 23-të gjuan saktësisht në portë pas një goditjeje nga këndi. Por gëzimi i vendasve zgjat vetëm 3 minuta, pasi Kuijt vendos baraspeshën pas një aksioni në krah të Xherard. Sulmuesi holandez ka një mundësi shumë të mirë për të shënuar golin e dytë në minutën e 49-të, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Arsenali kundërpërgjigjet duke rritur ritmin e lojës. Uollkot shfaqet disa herë para Reinës, por gjuajtjet e tij përfundojnë jashtë kuadratit. Vendasit kërkojnë edhe një 11-metërsh, pas një faulli të Kuijt ndaj Hleb, por çuditërisht gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Venger provon gjithçka, duke aktivizuar edhe Bendtner, por sulmuesi gabon gjithçka në minutën e 70-të, kur ndalon gabimisht një gjuajtje të Fabregas që po i drejtohej rrjetës. Pavarësisht tentativave nga të dy palët, rezultati nuk ndryshon dhe do të jetë ndeshja e javës së ardhshme në "Anfild" ajo që do të vendosë se kush do të kalojë në gjysmëfinale. Ndërkohë, Fenerbaçe ka shënuar surprizën e radhës, duke mundur Çelsin me rezultatin 2-1. Skuadra e drejtuar nga Avram Grant ka gjetur shumë shpejt golin e avantazhit në minutën e 13-të, kur Deivid devijoi në portën e tij një harkim të Maluda. Vendasit përpiqen të reagojnë, por e kanë të vështirë të shënojnë para mbrojtjes së ngjeshur të londinezëve. Megjithatë, në minutën e 64-t është Riçards që i shpëton mbulimit të mbrojtjes dhe i vetëm përballë Kudiçinit ka dërguar topin në rrjetë. Tani skuadra turke beson te fitorja dhe falë insistimit arrin të gjejë edhe golin e avantazhit me anë të Deivid, i cili në minutën e 80 shlyen gabimin e fillimit të takimit me një gjuajtje nga distanca të pakapshme për portierin e Çelsit. Me këtë sukses, skuadra turke mban gjallë shanset për të kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

Liga e Kampioneve

Rezultatet

Arsenal-Liverpul 1-1

Adebajor 23‘ / Kuijt 26‘

Fenerbaçe-Çelsi 2-1

Riçards 64‘, Deivid 80‘ / Deivid 13‘ (ag)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›