E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeni e Gonzales akuzohen për krime

Zëvendëspresidenti i Shteteve
të Bashkuara të Amerikës
është akuzuar për "organizim të
aktivitetit kriminal" në lidhje me
abuzimet ndaj të burgosurve në
burgje. Një juri e madhe në shtetin
e Teksasit ka ngritur dje një
padi ndaj Dik Çenit së bashku
me ish-prokurorin e Përgjithshëm
të Shteteve të Bashkuara,
gjeneral Alberto Gonzales, por
kjo akuzë nuk është parë ende
nga një gjykatës, i cili, sipas pushtetit
që i jep ligji, edhe mund ta
hedhë poshtë atë. Nga zyra e zv/
presidentit nuk është bërë asnjë
koment. "Nuk kemi marrë asnjë
akuzë zyrtarisht dhe nuk mund
të komentoj në lidhje me diçka
që nuk ekziston", ka bërë të ditur
zëdhënësi i Çenit. Juria e
madhe në rajonin e Luginës Rio
Grande, në kufi me Meksikën,
pretendon se Çeni "ka spekuluar
me privimin e lirisë ndaj personave
të ndryshëm". Për sa i
përket ish- prokurorit të
Përgjithshëm, ai akuzohet se ka
përdorur postin e tij për të
"ndaluar hetimin e veprave të
ndryshme penale". Akuza jep
edhe shembuj dhe raste abuzimesh
të të dy personave në fjalë.
Ndër të tjera, në material thuhet
se vendimi për të bërë një kallëzim
të tillë ishte bërë "me një
keqardhje të madhe", por kjo ishte
e vetmja rrugë për të vënë në
vend drejtësinë që supozohet në
akuzë, që është shkelur nga dy
zotërinjtë. Teksasi, ndër të tjera,
është edhe vendlindja dhe vendi
ku banon familja e Presidentit
aktual, Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›