E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasin me grushte 78-vjeçarin, mes të arrestuarve dhe i biri

SHKRUAN: Irena Vreto 26-07-2011 11:24

Korçë- Vritet në shtëpinë e vet i moshuari, policia arreston si të dyshuar tre kushërinj. Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të të hënës në fshatin Pojan, rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës. Një sherr mes tre kushërinjve dhe djalit të viktimës, për motive banale, i nisur në një lokal të fshatit ka përfunduar vetëm pak më pak se 30 minuta në tragjedi. 78-vjeçari Ali Zeneli ka mbetur i vdekur në vend nga grushtet, ndërsa autorët e këtij krimi i kanë çarë mushkërinë teksa i kanë thyer dhe brinjët gjatë dhunës të përdorur ndaj tij. Policia, e cila ka marrë njoftimin vetëm tri orë pas ngjarjes, ka bërë të mundur arrestimin në kushtet e flagrancës të tre autorëve të dyshuar të tij.

Ngjarja

Vrasja e të moshuarit ka ndodhur në shtëpinë e këtij të fundit, teksa burri ka dashur të mbrojë birin e vet nga i njëjti fund tragjik. Duke iu referuar hetimeve të para të grupit të punës, por dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes, mësohet se sherri ka nisur mes djalit të viktimës, shtetasit Petrit Zeneli, dhe tre kushërinjve Eduard, Bledar dhe Marinel Demiri, banorë të fshatit Pojan. Të katër të rinjtë kanë qenë duke konsumuar alkool në sasi të mëdha së bashku në një lokal të fshatit të tyre. Madje sherrin e kanë filluar me njëri-tjetrin që në lokal, sqarojnë burimet zyrtare të policisë lokale. I zoti i lokalit duke dashur të shmangë ndonjë krim të mundshëm, u ka kërkuar të dehurve që kanë nisur të grinden duke u goditur me grushte, të largohen nga lokali, teksa i zoti i tij e ka mbyllur atë menjëherë. Kështu është dukur se gjithçka është zgjidhur dhe konflikti është mbyllur, teksa të rinjtë e dehur janë ndarë nga njëri-tjetri. Teksa Zeneli ka shkuar në shtëpi, nuk e ka ditur se pas i janë vënë tre kushërinjtë që do të ktheheshin në vrasës të babait të tij. Sapo ai ka hyrë në shtëpi janë futur me forcë në banesë edhe të dyshuarit e krimit. Aty ka nisur një sherr tjetër, teksa ata kanë dashur të vrasin Petrit Zenelin. Në këto kushte ka ndërhyrë babai i tij Aliu, i cili ka dashur të shmangë sherrin dhe të largojë të dehurit nga shtëpia. Ai është futur mes tyre dhe si shpërblim ka marrë grushta pa fund deri dhe shkatërrim të mushkërisë dhe thyerje të disa brinjëve.

Të arrestuarit

Tre të arrestuarit Eduard, Bledar dhe Marinel Demiri nuk janë ndalur, ndërkohë që e kanë lënë të vdekur në vend të moshuarin. Vetëm kur kanë kuptuar që ai ka rënë i vdekur në tokë, janë larguar me shpejtësi nga banesa e tij. Rreth orës 03.00 të mëngjesit nga të qarat e tmerrshme një banor i fshatit ka njoftuar policinë e Korçës për vrasjen. Menjëherë kanë nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa janë ndaluar dhe autorët e saj, të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim”. Ndërkaq policia ka ndalur dhe djalin e viktimës, i përfshirë në konflikt. Mësohet se Zeneli kishte dalë nga burgu pak ditë më parë, ndërsa ishte i dënuar për trafikim lëndësh narkotike. Policia gjithashtu ka shoqëruar edhe 10 persona të tjerë lidhur me këtë ngjarje, për të zbardhur detajet e plota të saj. Mësohet nga hetimet e para se konfikti mes të rinjve ka qenë i hershëm dhe grindjet kanë qenë të vazhdueshme. Ndërkaq sherri i radhës ka nisur për motive banale, ndërkohë që kushërinjtë dhe djali i viktimës janë ulur së bashku në lokal për të festuar lirimin nga burgu të Zenelit. Më pas gjithçka ka degjeneruar në një grindje, e cila ka nisur në lokal dhe ka përfunduar me një të vdekur në shtëpinë e këtij të fundit. Policia e Korçës vazhdon hetimet për krimin, ndërsa fshati Pojan është shokuar nga mënyra shtazarake e përçudnimit të të moshuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›