“Shqipëria po ndryshon… për keq!”
Nikollaq Neranxi
Në serinë e gjatë të trashëgimisë sonë të vjetër dhe të re, një nga atributet tonë më të spikatur shfaqet në festat dhe në mënyrën e festimit të tyre... Me të drejtë konstatohet se roli i opozitarit është mjaft komod, pasi të bësh kritizerin nuk është aq e vështirë përderisa perfeksioni jo vetëm që është një koncept relativ, por edhe në këndvështrimin më universal të mundshëm, ai është i paarritshëm, po aq sa ç’është edhe infiniti. Megjithatë, sot në kohët që po jetojmë, as idealisti më i spikatur nuk mund të pretendojë perfeksion në jetën tonë, por vetëm atë që quhet thjesht situatë normale. Ndërkohë ne si opozitarë, e kemi të pamundur që të fërkojmë duart sa herë gjejmë qeverinë në gabim, pasi në fund të fundit, para së gjithash jemi qytetarë të këtij vendi, pastaj politikanë dhe si të tillë na dhëmb çdo plagë e saj. Por ama ka një rregull që funksionon perfekt, sa më e papërgjegjshme qeveria, aq më e lehtë bëhet oponenca. Në fakt sot, nuk ka nevojë të kesh ndonjë sy kritik të veçantë apo ndonjë inteligjencë kushedi se çfarë për të kuptuar se çdo ditë që po kalojmë është më e keqe se ajo e djeshmja, por ka të ngjarë që të jetë më e mirë se e nesërmja. Të gjitha këto refleksione më pushtuan paq, teksa po ndiqja dy ditë më parë në tv ‘fushatat’ e Berishës dhe Ramës, i pari në pallatin e sportit dhe i dyti tek studio e “Shqip”. Po të vijë një i huaj këtu, i painformuar për situatën kritike që po kalojmë, dhe të ndjekë edicionet tona të lajmeve (atë pjesë ku flitet për politikën) me siguri mund të mendojë se ne duhet të ishim bërë me kohë pjesë e Europës, pasi performancat e liderëve tanë të lënë pa fjalë. Këta dy politikanë thonë se janë si Bleri dhe Obama, ndërkohë që vendi i tyre është mijëra vite dritë larg zhvillimit dhe mbi të gjitha demokracisë së vendeve të Blerit dhe Obamës. Edhe pse sfondet e tyre tejet luksoze dhe festive, mund të ta turbullojnë paksa gjykimin, realiteti është ai që na rëndon të gjithëve në shtëpitë tona, për shkak të situatës së rëndë ekonomike që ka pllakosur. Jo vetëm kaq, në Shqipëri, në vendin tonë të dashur, ndodhin gati çdo javë skandale të atyre përmasave që në çdo vend tjetër të botës do të kishin marrë të tjera përgjigje. Këtu, ku politikanët tanë i gënjen mendja se janë si Obama apo Bleri, shuhet një fshat i tërë dhe ngjarja arkivohet duke u mbuluar me mister. Në këtë vend shembet një pallat dhe vdesin poshtë rrënojave njerëz dhe të mbijetuarit lihen rrugëve pa iu dhënë asnjë zgjidhje, edhe pse dihet mirë se politika është fajtorja kryesore e gjëmës. Në këtë vend shuhet një biznes që nga themelet i përpirë nga flakët dhe të nesërmen ngjarja harrohet pa dhënë asnjë zgjidhje se çfarë do të ndodhë më pas me ata njerëz që ngritën një punë me mund e me djersë, punësuan njerëz, paguan taksa në shtet dhe papritur u gjendën në mes të rrugës. Si është e mundur që këta qeveritarë nuk ndjejnë ndonjë lloj përgjegjësie për gjithçka ndodh? Nëse goditet biznesi, dëmtohet shtylla kryesore mbi të cilën mbahet ky vend, tek i cili funksionon ekonomia e tregut. Më thoni çfarë mendjeje e hollë duhet për të kuptuar se çmimet e karburanteve nuk ulen me kast, pasi interesat e politikanëve në pozitë duken të implikuara keq në këtë rast? Çfarë syzesh optike i duhen një njeriu për të parë qartë se pas ardhjes në pushtet të Berishës, shumë biznese të konsoliduar mirë për vite me radhë e me shumë sakrifica, u zhdukën nga tregu për t’i lënë hapësirë disa sipërmarrjeve të dyshimta, të cilat çuditshëm njohën lulëzimin dhe fuqizimin e tyre që nga viti 2005? Prandaj kur dëgjojmë krahasimin që i bëjnë vetes politikanët tanë me ata të Perëndimit, me ata burra shteti, të cilët kanë punuar dhe punojnë për të vënë një gur në themelet e konsoliduara të shteteve të tyre, ndjen me të vërtetë një irritim të përzier me trishtim.
Kam ndjekur me vëmendje këto ditë ngjarjet e pazakonta në Greqinë fqinje dhe menjëherë më erdhi në mendje Shqipëria e trazirave të ‘97-ës. E megjithatë, atje tjetër gjë provokoi protestën popullore. Një popull i tërë u solidarizua kundër një policie vrastare. Ky është shembulli më i mirë për të kuptuar se ti si shtet ke për detyrë të më mbrosh me të gjitha instrumentet e tua dhe jo të më vrasësh, pasi për tjetër punë je aty ku ne të kemi zgjedhur. Kjo ngjarje, edhe pse e rëndë e me pasoja për ekonominë e atij vendi, më bën të shpresoj se edhe tek ne do të ketë një reflektim dhe reagim masiv për të gjitha mynxyrat që prodhon çdo ditë politika jonë, veçse kurrsesi një reagim shkatërrimtar, por demokratik dhe qytetar. Zgjedhjet po afrojnë dhe populli shqiptar, i cili duket si i mpirë nga kontrastet që ofron ky realitet pervers dhe absurd, ku nga njëra anë konsumon demagogji ose më saktë mashtrim politik dhe nga ana tjetër nuk shtyn dot 15 ditshin, do të reagojë në momentin e duhur, duke mos ia dhënë më votën të vetëquajturve Obama dhe Blerëve shqiptarë. Slogani “Chang we need” i Obamës nuk ka as edhe një pikë të përbashkët me “Shqipëria po ndryshon” të Berishës. Edhe pse që të dyja flasin për filozofinë e ndryshimit, e vërteta është se Shqipëria po ndryshon për ditë, por fatkeqësisht po ndryshon për keq. Shihet qartë se këta qeveritarë e kanë keqkuptuar misionin e tyre. Kur një popull voton për një qeveri, këtë nuk e bën për të ndryshuar emrin e padronit të vendit të tij. Shqiptarët nuk kanë nevojë për padronë apo diktatorë të rinj, ata kanë nevojë të qeverisen për një jetë më të mirë edhe për ta, jo vetëm për qeveritarët e tyre.