Rama mbledh krerët e së majtës, gati krijimi i Federatës
Shaban Sulçe
Ideja e krijimit të Federatës së Majtë fillon të konkretizohet gjithnjë e më tepër. Dje, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me krerët kryesorë të partive të majta. Takimi është zhvilluar në selinë e PS-së, pa praninë e medias dhe përveç Ramës, në të kanë marrë pjesë kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, si dhe kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Në takim është rënë dakord që Partia Socialiste të vijojë bojkotin e Kuvendit, ndërkohë që është folur edhe në lidhje me organizimin e së majtës në të ardhmen. Projekti përfshin krijimin e Federatës së Majtë, një projekt i mbështetur me forcë nga drejtuesit e së majtës, të cilët e kanë konsideruar si projektin fitues të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2011, por edhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Milo
Pas takimit, i vetmi pjesëmarrës që është prononcuar ka qenë kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai deklaroi se krerët e opozitës kanë rikonfirmuar bindjen që opozita të mos bëhet pjesë e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve. Milo tha se opozita dhe Partia Socialiste do të vijojnë bojkotin e Kuvendit për sa kohë që maxhoranca do të refuzojë të zbardhë krimin elektoral të 28 qershorit. Kreu i PDS-së pohoi gjithashtu se në takim ishte folur edhe për projektin që do të fuqizojë të majtën. Ai ka lënë të kuptohet se tashmë e majta do të pësojë një organizim të ri, ku ideja më e mundshme është krijimi i Federatës së Majtë. “U përcaktua shumë qartë se opozita kërkon edhe njëherë hapjen e kutive të votimit, sepse aty fshihet e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve. Tashmë është më tepër se kurrë e domosdoshme që opozita të unifikohet dhe të bashkërendohet. Do të ketë takime të tjera në të cilat do të diskutohet për kalimin në një fazë tjetër të veprimit opozitar”, - theksoi Milo.
Federata
Organizimi i Federatës së Majtë duket se do të jetë “arma” me të cilën opozita dhe Partia Socialiste do të luftojnë për të fituar betejat e ardhshme elektorale. Një projekt i tillë pritet t’i ndryshojë gjërat dhe të përmirësojë gjendjen brenda së majtës, duke filluar edhe nga lidershipi i saj. Për këtë është projektuar një lidership dhe vendimmarrje kolegjiale. Drejtimi i Federatës së Majtë është projektuar t’i besohet Bordit të Kryetarëve, ku do të marrin pjesë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, si dhe përfaqësues nga ish-pesë anëtarët e Kryesisë së LSI-së, të cilët janë larguar nga kjo forcë politike. Do të jetë struktura e mësipërme ajo që do të vendosë për fatet e së majtës dhe do të marrë vendimet e rëndësishme politike. Bordi i Kryetarëve nuk do të jetë i vetmi nivel organizimi brenda radhëve të Federatës së Majtë. Bëhet e ditur se do të krijohen të paktën edhe dy borde të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me organizimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në bordin e parë, atë të organizimit, do të marrin pjesë sekretarët e Përgjithshëm të partive të majta, ndërkohë që PS-ja do të përfaqësohet në nivelin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare. Një bord i rëndësishëm do të jetë edhe ai i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë sekretarët ndërkombëtarë të partive opozitare.
25 Shtator 2009