E Diel, 1 Nëntor 2026

Mot i keq në Durrës, bllokohet porti, përmbyten disa lagje

>Reshjet e dendura dhe era e fortë që kanë përfshirë Durrësin ditën e djeshme kanë sjellë disa anomali në portin e Durrësit, megjithatë deri pasdite nuk ka pasur vonesa në lundrimin e trageteve, ndërkohë që çdo punë tjetër kryesisht në përpunimin e mallrave është ndërprerë. Gjatë gjithë ditës është ndërprerë puna në portin e Durrësit për shkak të  reshjeve të dendura të shiut. Koha shumë e keqe ka bërë që fillimisht të ndërpritet puna në anijet që shkarkojnë mallra rifuxhio, të cilat kanë mbyllur hambarët për të evituar lagien e mallrave. Më pas është ndërprerë puna edhe në terminalin e kontejnerëve, pasi era e fortë rrezikonte përplasjen e ngarkesave që ngrihen me kavo. Përveç këtyre është bllokuar puna përkohësisht edhe në sektorin e ngarkim shkarkimit, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Gjithashtu shiu dhe era e fortë që fryn në drejtim të Jug-Perëndimit ka pezulluar daljen në det të anijeve të sektorit të peshkimit. Nga ana e dispecerisë këta të fundit janë lajmëruar të mos dalin për gjueti, për shkak të paqëndrueshmërisë së kohës. Burime nga kapiteneria e Durrësit bënë me dije se anijet e tonazhit të lartë apo tragetet nuk kanë pasur probleme në lundrimin e tyre. Tragetet janë ankoruar në kohë, ndërsa pritet që të mos ketë vonesa në nisjen e tyre për shkak të kohës së keqe. Përveç kësaj, shiu ka krijuar probleme të mëdha dhe nëpër rrugët e qytetit, në kalimin e automjeteve dhe kalimtareve. Më problematike situata është paraqitur në aksin rrugor Ura e Dajlanit- Shkozet, Ura e Dajlanit-Plepa, si dhe në vendin e quajtur Unaza e Shkozetit. Ndërsa, kanë mjaftuar vetëm disa orë shi, për të përmbytur dhjetëra lagje dhe rrugë periferike të qytetit të Durrësit. Situata është paraqitur mjaft problematike në lagjen numër 14, 13 si dhe në lagjen numër 17, ku uji ka vërshuar deri në katet e para të banesave. Situata emergjente krijohet sa herë që bie shi në qytetin bregdetar të Durrësit dhe shkak për këtë sipas shtabit të emergjencës, është bllokimi i kanaleve të ujera të larta si dhe amortizimi i rrjetit, duke shkaktuar përmbytje të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›