E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mot i kthjellët edhe në ditët në vijim

SHKRUAN: Jonida Tashi 05-01-2011 13:50

Moti i kthjellët me temperatura në rritje do të na shoqërojë gjatë ditëve në vijim.

Sipas meteorologëve, edhe përgjatë kësaj jave pritet që të ketë një rritje të temperaturave, ndonëse ka pasur një ulje tyre, duke arritur deri në -2 gradë në kryeqytet. Kështu, 10-ditëshi në vazhdim pritet të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave. “Deri në datën 10 parashikohet që pjesa më e madhe e territorit shqiptar të jetë me mot të kthjellët. Në zonat e larta malore do të kemi vranësira dhe dëborë të izoluar. Duke filluar që nga mëngjesi i ditës së sotme, parashikohet të kemi një rritje të lehtë me 2 gradë në të gjithë vendin dhe më pas temperaturat do të qëndrojnë konstante deri në fundjavë, ku pritet që të kemi rritje të ndjeshme të tyre. Edhe në vlerat e mesditës temperaturat në fakt kanë pësuar rënie, duke bërë që temperatura maksimale në rang vendi të mos e kapërcejë vlerën 13-14 gradë të shënuar në zonat bregdetare”, - thotë meteorologia Lajda Porja. Sakaq në zonat malore do të ketë reshje dëbore, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare do të shoqërohen nga erë e lehtë. “Edhe në javët në vazhdim parashikohet që pjesa më e madhe e territorit të jetë me kthjellime dhe do të ketë herë pas here vranësira. Në fakt, do të thosha që vranësirat do të jenë të grumbulluara në zonat malore, ku do të ketë dhe reshje dëbore. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme. Parashikohet që gjatë gjithë javës, edhe pse do të kemi një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit, temperatura minimale do të jetë -5 gradë në zonat malore. Ndërkohë bregdeti dhe zona e ulët do të jetë në vlera pozitive, rreth dy-tre gradë. Përsa i përket vlerave të mesditës, temperatura maksimale do të jetë 15 apo 16 gradë celsius në rang vendi”, - thotë meteorologia Lajda Porja. Sipas sinoptikanëve, reshjet do të jenë pothuajse inekzistente në pjesën më të madhe të territorit shqiptar dhe temperaturat e ulëta janë ende larg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›