Raport-progresi, mbikëqyrja e tregjeve duhet të forcohet
Ngritja e institucioneve të mbikëqyrjes së tregut dhe harmonizimi i mëtejshëm i gjithë legjislacionit shqiptar dhe kuadrit rregullator në atë Europpian janë direktivat e BE-së në raport progresin për vendin tonë, për të cilat Ministria e Ekonomisë angazhohet t’i ketë prioritet për vitin që sapo ka hyrë. Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, në një takim me drejtues të ministrisë së tij është shprehur se rekomandimet e BE-së do të jenë në fokus të punës së këtij institucioni për 2011-ën. “Por njëkohësisht theksohet se mbetet ende shumë për të bërë për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme të vendit tonë për lëvizjen e lirë të mallrave, çka bën të nevojshme transpozimin e direktivave të tjera të ngritjes së institucioneve të mbikëqyrjes së tregut, dhe të harmonizimit të mëtejshëm të gjithë legjislacionit tonë dhe kuadrit rregullator në atë Europian”, - tha Meta. Duke iu referuar raportit, lidhur me Kapitullin e 3-të së Drejtës së Vendosjes dhe Lirisë për të ofruar Shërbime që përfaqëson një nga katër të drejtat themelore të përcaktuara në dokumentet e themelimit te Bashkimit Europian, vendi ynë vlerësohet për moszbatimin e asnjë dispozite diskriminuese përsa i takon regjistrimit të biznesit dhe vlerësohet pozitivisht për trajtimin e barabartë të kompanive Europiane dhe atyre vendase në këtë drejtim. Njëkohësisht, sipas Metës, duke iu referuar të njëjtit raport, përsa i takon lirisë për të ofruar shërbime dhe në mënyrë te veçantë transpozimit dhe zbatimit te Direktivës së Shërbimeve, megjithëse kjo e drejtë nuk është akoma një detyrim për vendin tonë, theksohet nevoja për përgatitje paraprake në këtë fushë pasi legjislacioni shqiptar ende nuk është akoma i përafruar me atë Europian. “Lidhur me Kapitullin 7 për të Drejtat e Pronësisë industriale, vlerësohet miratimi i ligjit bazë për pronësinë industriale si dhe aderimi i Shqipërisë në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Vlerësohet gjithashtu miratimi i strategjisë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si një hap i parë i suksesshëm për ngritjen e sistemit, por kërkohet më shumë vëmendje për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve tona për zbatueshmërinë e ligjit, për inspektimin e pronësisë intelektuale si dhe miratimi sa më parë i “Ligjit për Të Drejtat e Autorit””- u shpreh Meta. Gjithashtu, sipas raportit të progresit të KE-së, është e nevojshme të mbarojë përditësimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë, të miratohet sa më parë dhe paketa e Plotë me Ligjet për Sektorin Elektrik, Ligjin për Energjinë e Rinovueshme dhe Ligjin për Eficencën e Energjisë. Gjithashtu duhet të plotësohet me kuadër nënligjor legjislacioni i plotë për Hidrokarburet.