E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti bllokon portet, tragetet anulojnë udhëtimet

Vlorë-Pasagjerë të trageteve të linjës Vlorë-Bari u bllokuan dje në port, për shkak të motit të keq që nuk lejoi nisjen e linjave drejt destinacionit. Dy tragete që duhet të niseshin rreth orës 14:00 të ditës së djeshme drejt Brindizit anuluan lundrimet për shkak të furtunës në det. Për këtë shkak, dhjetëra pasagjerë po qëndrojnë në pritje ndaj një urdhri të dytë. Furtuna ka shkaktuar dallgë të mëdha nga 4-5 ballë në gji dhe jashtë gjirit detar nga 7-8 ballë. Kjo tablo sinoptike në Vlorë është rrjedhojë e përfshirjes së rajonit në ndikimin e një zone me presion atmosferik të ulët, gjë që do të reflektohet edhe në rënien e vlerave të temperaturave krahasuar me një ditë më parë. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur se dje era pati drejtimin veri-veriperëndim, me shpejtësi nga 4 deri në 8 m/sek në afërsi të bregut të detit.

Temperaturat e ajrit arritën vlerat maksimale në 11-13 gradë celsius dhe ato minimale nga 5-7 gradë celsius. Kapiteneria e Vlorës ka njoftuar që dhe ditën sotme nuk do kryhen lundrime.

Ndërkaq në portin e Durrësit mësohet se është anuluar lundrimi i një prej trageteve të linjës Durrës-Bari për shkak të stuhisë në det. Reshjet lokale nisën që natën e së enjtes dhe pasuan me intensitet edhe gjatë ditës së djeshme. Era pati dje drejtimin veri-verilindje, dhe për shkak të stuhisë deti parashikohet që gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm të arrijë deri në 9 ballë. Moti i keq gjatë ditës së djeshme ka bërë që të vonohen me 3-4 orë tragetet që ishin nisur nga Italia në drejtim të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›