Tre në pranga, për 42 kg hashash nga Lazarati në Korçë
Korçë- Një sasi droge që vinte nga Lazarati drejt Korçës ka përfunduar në duart e policisë së Korçës, ndërsa janë prangosur tre shtetas. Droga e llojit marijuanë ishte duke u dorëzuar te një korçar i cili mandej do ta transportonte atë drejt Greqisë. Vlera financiare e drogës është 16 mijë euro, ndërsa në Greqi transportuesi i saj do të merrte 40 mijë euro. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se operacioni është mundësuar rreth orës 11.00 në vendin e quajtur “Trekëndëshi”, në lagjen 4 të qytetit të Korçës, vend në të cilin kanë rënë në pranga tre persona, mes të cilëve njëri nga fshati Lazarat në Gjirokastër. Policia e Korçës ka vënë në pranga tre shtetas, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës me plot 42 kg marijuanë gjatë finalizimit të operacionit “Zinxhiri”. Kristi Pojani, 21 vjeç, nga Korça; Gazmend Bashaj, 26 vjeç, nga Lazarati; dhe Elsid Avduli, 22 vjeç, nga Gjirokastra; janë të ndalurit me lëndë narkotike të cilën ishin duke e transportuar nga një mjet në tjetrën. Ata janë arrestuar në flagrancë në lagjen nr.4 në qytetin e Korçës. Lënda narkotike ishte transportuar nga Lazarati dhe kishte si dentinacion të fundit Greqinë.