E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i acartë, situatë e vështirë në veri

Vijon e njëjta situatë e vështirë për banorët e qarkut të Shkodrës të cilët janë të izoluar nga dëbora, ndërsa rezervat ushqimore të tyre po shkojnë drejt fundit. Drejtues vendorë të komunave të izoluara por dhe banorë të tyre, bëjnë apel për ndihmë nga shteti.

Në Pukë, reshjet e dëborës vazhdojnë pa ndërprerje prej tre ditësh. Sipas kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Beqir Arifaj, rrugët arrijnë të zhbllokohen por dëbora që nuk pushon i ribllokon përsëri. Problem në këtë qytet janë bërë çatitë e ndërtesave që rrezikojnë të shemben nga pesha e dëborës.

Sipas Arifajt, efektivët e zjarrëfikësve të Pukës dhe vetë qytetarët janë angazhuar për të bërë largimin e borës nga ato çati që paraqiten më problematike dhe që rrezikojnë shembjen e ndërtesave. Në qytetin e Koplikut në Malësi të Madhe, dëbora ka shembur plotësisht një investim të Bashkisë, një fushë sportive e mbyllur. Dëbora e ka rrëzuar plotësisht duke e bërë të papërdorshme.

Në qytetin e Shkodrës dhe pse gjatë të dielës nuk ka patur reshje dëbore, qarkullimi paraqitet i vështirë, pasi nuk janë vënë mjete apo angazhuar forca për të bërë pastrimin e rrugëve. Individë të ndryshëm, kryesisht pronarë ambjentesh shërbimi apo dyqanesh kanë bërë pastrimin e trotuareve përpara tyre, ndërsa në rrugë bora vazhdon të jetë e pranishme. ( Anila Dushi)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›