Aventurieri australian: Dua nuse shqiptare
Është australian, është 40 vjeç, thotë se ka shëtitur në 90 vende të botës dhe se tani kërkon të martohet me një shqiptare, të paktën 1.70 m të gjatë. Steve Davis tregon se ka shëtitur në xhunglat e Amazonës, ka kapërcyer shkretëtira, është ngjitur në murin kinez dhe në majën e Everestit dhe tani kërkon të martohet me një shqiptare. Aventurieri duket se e sheh këtë si sfidë të radhës, por edhe si mundësi për të mbledhur mendjen dhe krijuar një familje. Dikush duhet t’i ketë treguar se shqiptaret “ta fusin këmbën në një këpucë”, sepse ai shpreson që me anë të martesës më në fund të zërë vend diku.
Davis ka lindur më 30 gusht 1971, në Sidnay Australi. Ka përfunduar studimet për teologji dhe i pëlqen feja myslimane. E ëma, një turke që është marrë me shitje lulesh, dhe i ati një australian, si dhe dy vëllezër jetojnë në Sidney. Siç shprehet Stev, ka një familje për t’u admiruar, e cila gëzon respekt në komunitet e merret shembull nga të gjithë atje. Janë një familje e lumtur që nuk i mungon asgjë, as puna, as të ardhurat, as respekti. Por Stev ka një dëshirë të brendshme të pashpjegueshme, të shëtisë botën. “Kam një dëshirë të brendshme të pashpjegueshme për të shëtitur. Më pëlqen të provoj gjëra të papara, të takoj njerëz, të rrezikoj, të bëj qejf. E tillë është jeta ime. Nuk mund ta kuptoj veten në një vend. Prej 20 vitesh jam në udhëtim. Kam kaluar në 90 vende, kam qenë në xhunglat e Amazonës, në Indonezi, në ishuj të prapambetur, në skaje me të largëta, në shkretëtirë, në qytete modernë, në pyje, male, lumenj”, - tregon Steve. Ai do të provojë gjithmonë diçka të paimagjinueshme. A futet në këtë kategori edhe një nuse shqiptare?! Një ndikim për të ka pasur edhe një komunitet shqiptarësh që jetojnë pranë familjes së Stev në Australi. E ata i kanë dhënë ngacmimin e parë për një nuse shqiptare dhe ai është vënë në kërkim. Ai tregon se pasi ka kaluar në katër kontinente e në mbi 90 shtete e më në fund është ndalur në Elbasan, Shqipëri. Ndjehet mirë aty. Është mahnitur nga bukuria e vajzave shqiptare dhe ka vërtetuar se emigrantët shqiptarë atje nuk e kanë gënjyer. “Kam takuar njerëz të ccdo kategorie, kam ngrënë e kam kuvenduar me ata, kam bërë qefe, pastaj sërish kam marrë rrugën e në fund u ndala në Shqipëri. Këtu erdha të realizoj dëshirën më të madhe të jetës sime. Të martohem me një shqiptare”, thotë Steve. Por nuk është aq e lehtë të bëhesh çift edhe këtu. Tani burri nga Australia mendon se mund t’ia dalë mbanë duke e bërë kërkesën e tij publike. Ai gjithashtu parashtron edhe disa kërkesa. “Vajzat qenkan shumë të bukura, siç më patën treguar fqinjët e mi emigrantë nga Shqipëri. Kam vetëm këto kushte të jetë e gjatë të paktën 1.70m. Ideale për mua do të ishte 1.75 m, nën 30 vjeç, të jetë natyrale, gazmore, e dëlirë e të më ndjekë kudo. Pasuria ime janë një vilë në Australi e një në Ankara, 2 makina dhe një motor. Por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është jeta dhe lumturia jonë”, thotë ai. Në kërkim të vajzës së ëndrrave që me detyrim duhet të jetë shqiptare, Steve duket se mund të bëjë gjithçka. “Shqiptarët janë të sjellshëm, mjaft të ngrohtë, miqësorë dhe shumë të dashur. Vendosa të kërkoj në Shqipëri shpirtin tim binjak sepse vajzat shqiptare janë edhe shumë të bukura. Unë dua të martohem dhe të kem fëmijë me të. Më ndihmoni të gjej një nuse shqiptare”, apelon australiani duke treguar e-mailin nga i cili mund ta kontaktojnë spaceman212@yahoo.com. Sigurisht, letrat i pret në anglisht, pasi shqip sapo ka filluar të mësojë disa fjalë. Steve është i bindur se do të gjejë zemrën binjake në Shqipëri e ndaj tashmë ka vendosur ta bëjë gjithçka sa më publike. Ka ende kohë. Ai thotë se do të qëndrojë një vit në Shqipëri. Edhe pse jeton në një konvikt gati të braktisur në afërsi të psikiatrikut në Elbasan ai premton shumë për vajzën shqiptare. Dikur, kur i mbaruan të ardhurat, u kthye sërish në Australi, punoi në sektorë të vështirë si ndërtimi, grumbulloi 30-40 mijë Euro dhe u nis sërish në shtegtim. “Paratë vijnë, por jeta ikën. Pasi të kem gjetur femrën që kërkoj do të jetoj ose në Australi ose në Ankara. Qëllimi im është një grua që të më bëjë të zbres me këmbë në tokë dhe të bëhem familjar i mirë, e sidomos të kem fëmijë të bukur si shqiptarët”, e mbyll ai.