E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Konomit, Nishani: Autori mund të dihet, por duhen prova

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e ka cilësuar një vepër të krimit të organizuar, vrasjen e Skerdilajd Konomit. “Për këto lloj vrasjesh edhe mund të dihet autori, por që ky autor të hetohet duhen prova”. Wikileaks? “Burgaj më erdhi i shqetësuar në zyrë dhe mohoi të ketë dhënë atë deklaratë për Kuliçajn

Një vepër e krimit të organizuar, për të cilën edhe mund të dihet autori, por mungojnë provat. Kështu e ka komentuar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, hetimin për ekzekutimin e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, ministri i Brendshëm tha: “Për këto lloj vrasjesh, edhe mund të dihet autori, por që ky autor të hetohet duhen prova, duhen gjendur dhe argumentuar para gjykatës. Dhe mbledhja e provave kërkon kohë”. Në analizën e tij mbi natyrën e krimit kundër gjyqtarit, Nishani shpjegoi se në raste të tilla, autori nuk mund të kapet menjëherë, ndërsa zbardhja kërkon një hetim të mirëfilltë. Nishani zbuloi se në vendin ku u ekzekutua me tritol Skerdilajd Konomi janë gjetur prova të rëndësishme, të cilat nuk ka preferuar t’i shpjegojë në detaje. “Prokuroria bën hetime më vete. Të gjithë pushtetin e hetimit e ka organi i akuzës, ka specialistë shumë të mirë dhe, nëse do të ecet me vullnet e profesionalizëm të plotë dhe duke parë çfarë provash ka prokuroria, që ia kemi kaluar ne si Polici e Shtetit, plus që mund të ketë informacione të vetat, kam bindjen se me një hetim të aftë është një çështje që mund të zbardhet”, - ka shprehur bindjen e tij ministri i Brendshëm. Në përgjigjet e tij për gazetarin Ilir Babaramo, Nishani nuk ka përjashtuar një lidhje të mundshme mes ekzekutimit të gjyqtarit dhe një krimi tjetër, për të cilët është përdorur i njëjti skenar. “Mund të ketë lidhje në aspektin e mënyrës së përdorimit apo të individëve që janë përdorur për të kryer ekzekutimin. Por kur ka vrasje të tilla, duan kohë dhe kërkojnë hetim të mirëfilltë”, - ka thënë Nishani, duke shtuar më tej se në rastin e Konomit, pista e një vrasjeje për shkak të detyrës është përjashtuar thuajse fare. Duke iu referuar edhe letrës së familjarëve të Konomit për Kryeministrin dhe Presidentin Topi, Nishani shtoi se tashmë hetimet janë fokusuar në pistën e konflikteve të pronësisë. Ministri i Brendshëm u është përgjigjur pyetjeve që lidhen me kabllogramet e Wikileaks për kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe nëndrejtorin Agron Kuliçaj. Ministri Nishani zbardhi një takim me kryepolicin Burgaj, pas publikimit të kabllogrameve dhe shqetësimin që ai i kishte shprehur. “Zoti Burgaj ka ardhur vetë, natyrisht ka qenë i shqetësuar ato ditët e para të publikimeve dhe më ka thënë që unë nuk kam bërë një deklaratë të tillë. Unë personalisht nuk kam pasur ndërmend ta thërras për këtë çështje”, -tha Nishani, duke pohuar se nuk ka asnjë arsye për të shkarkuar Kuliçajn nga detyra. “Unë nuk kam asnjë arsye ta diskutoj një gjë të tillë, për sa kohë që departamenti që ka drejtuar Kuliçaj ka qenë një ndër departamentet më të suksesshëm, bashkë me atë të kufirit”, - tha ministri i Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›