E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet zbulojnë 200 kg hashash në “çatinë” e një kamioni

Katër shqiptarë dhe tre italianë u arrestuan në Romë, pas bllokimit të drogës me vlerë 2 milionë euro, e fshehur në pjesën e sipërme të një kamioni frigorifer. Dyshohet se kreu i rrjetit fshihet në Vlorë

Katër shqiptarë dhe tre italianë janë arrestuar në Romë, ndërsa ishin duke trafikuar 200 kilogramë kanabis-sativa, të ardhur nga Shqipëria. Operacioni policor i karabinierëve të Romës është finalizuar mbrëmjen e së hënës, ndërsa shtatë të arrestuarit ishin duke kryer procedurën finale të dorëzimit “të mallit”. Sipas mediave italiane, vlera e drogës është 2 milionë euro, ndërsa ajo ishte fshehur në çatinë e një kamioni-frigorifer të ardhur nga Shqipëria. Operacioni i nisur prej disa ditësh u konkludua dje pas informacioneve të marra në rrugë operative, ku mësohej mbërritja e ngarkesës dhe vendi ku do të shkarkohej. Karabinierët kontrolluan kamionin e pajisur me licencë të llojit TIR me targë shqiptare, ku për të pritur atë ishin 5 persona dhe dy makina. Në atë moment, policët në rrugën ‘Selci’ bllokuan gjithë të pranishmit dhe kontrolluan kamionin, i cili rezultoi bosh. Gjatë një kërkimi të mëvonshëm u vërejt se në çatinë e kamionit ishte improvizuar një hapësirë, në të cilën ishte fshehur edhe sasia e drogës. Më tej u hoq çatia, e cila ishte e mbuluar me pllaka të forta dhe në brendësi të saj u gjetën 66 qese plastike, ku në total përmbajtja arrinte 200 kilogramë marijuanë. Shtatë personave, mes të cilëve 4 shqiptarë dhe 3 italianë, u arrestuan për trafik ndërkombëtar droge dhe u dërguan në burgun e Velletrit. Sipas policisë, truri i këtij operacioni ishin 4 shqiptarët, të cilët kishin organizuar gjithë operacionin. Theksohet se, në rast se nuk do ishte kurorëzuar operacioni, droga do të kishte përfunduar në tregun për të cilin efektivët e policisë po hetojnë. Informacionet për këtë aksion janë marrë kryesisht nga përgjimet e dy shqiptarëve dhe një italiani dhe reparti i antidrogës së Romës mundi të sigurohej se mbrëmjen e së hënës “do të kishte një takim të rëndësishëm”. Në fakt, takimi nuk ishte gjë tjetër veçse dorëzimi i 200 kilogramëve kanabis, të cilat gjendeshin të fshehura me mjeshtri mbi kuvertën e një mauneje të drejtuar nga një shofer shqiptar dhe që kishte mbërritur në Itali nëpërmjet portit të Vlorës. H. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›