E Diel, 1 Nëntor 2026

Miniera, 72 minatorë bllokojnë galerinë, ACR gati kontrata, do trajtohen si të tjerët

Minatorët e zonës D nuk janë paguar si 620 kolegët e tyre, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë. Shkaku janë nënkontraktorët. Kompania austriake reagon: Nënshkruam kontratën, tani do të trajtohen si të tjerët

BULQIZË-Rikthehen protestat në qytetin e Bulqizës. 72 minatorë janë tubuar në hyrje të një galerie në zonën mineralmbajtëse D, pasi siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, ata nuk kanë përfituar as pagën e 13-të dhe as para për ditët e protestave, siç përfituan 620 minatorët e tjerë. Kompania ACR ka reaguar menjëherë pasditen e bllokimit të galerive duke deklaruar se kjo pjesë nuk ka qenë në zotërimin e saj, por pas një vendimi të METE-s që ia kalonte këtë zonë në administrim asaj, kompania austriake do të vinte edhe këtu në zbatim marrëveshjen e arritur për pjesën tjetër të minatorëve.

Protesta

Që në orën 07:00 të ditës së djeshme, minatorët janë grumbulluar në hyrje të galerisë 39 dhe kanë deklaruar se do të protestojnë çdo ditë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Kjo zonë u ishte besuar nga ACR-ja firmave nënkontraktore, të cilat deri para tre muajve, kohë kur nisën protestat, i kanë paguar minatorët për punën e kryer. Ndërkohë pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërprerjen e grevës, sindikata e minatorëve ra dakord me pagën e 13-të dhe pagesën e 22 ditëve për periudhën e protestave. Kryetari i sindikatës së minatorëve të zonës D, Agron Basha, tha se METE ka pezulluar punën vetëm për galeritë 46, 43, 36, 39 dhe 33, në këtë zonë që i përkasin ACR-së, ndërkohë që këtu veprojnë qetësisht dhjetëra firma të vogla private që nuk janë pezulluar. Ndaj ne do vazhdojmë t’i mbrojmë galeritë tona, pasi METE kërkon t’i nxjerrë në ankand këto galeri. Nuk do të lëmë njeri të afrohet në galeritë tona, qoftë edhe duke luajtur rolin e të fortit”, - thotë Basha. Sipas Taf Kolecit, president i Sindikatave të Punonjësve të Industrisë, minatorët kanë të drejtë në kërkesat e tyre për marrjen e pagave si të gjithë minatorët e tjerë dhe rinisjen e punës në galeritë e zonës D. Në marrëveshje me kompaninë nuk ishte parashikuar rasti i zonës D. ACR dhe nënkontraktorët kanë mosmarrëveshje mes tyre për pagesën e këtyre minatorëve. Kjo i ka detyruar një pjesë të minatorëve t’u rikthehen protestave. Sipas organizatorëve të protestës po merren të gjitha masat që shumë shpejt këta minatorë të fillojnë grevën e urisë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre legjitime.

Reagimi

Kompania ACR ka reaguar pasditen e djeshme lidhur me protestën e 72 minatorëve, duke kërkuar të sqarojë faktin se minatorët e zonës D nuk kanë qenë punonjës të kësaj kompanie, por të një prej nënkontraktuesve të saj. Sipas ACR-së, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka urdhëruar që zona D t'i kalojë tani nën administrim kompanisë ACR dhe për rrjedhojë, edhe 72 minatorët e kompanisë nënkontraktuese do të bëhen pjesë e ACR-së. "Sot (dje) kompania ACR përfundoi me nënkontraktonin procedurat e dorëzimit të aseteve të zonës D, ku një prej pikave të marrëveshjes ishte edhe trajtimi financiar i punonjësve të kësaj zone. ACR do të marrë përsipër të zgjidhë situatën financiare të punëtorëve të zonës D, duke iu ofruar atyre të njëjtat kushte që u ofroi edhe minatorëve të Bulqizës, bazuar në kohën që këta minatorë kanë punuar për kompaninë ACR”, - njoftoi kjo e fundit. Sipas kompanisë, puna në zonën D është e pezulluar sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pasi ajo është ende nën inspektim. “Stafi i minierës po punon për të garantuar kushte të përshtatshme për rifillimin e punës", - thuhet në qëndrimin e kompanisë austriake. Nga ana e ACR-së sqarohet gjithashtu se puna për përmirësimin e kushteve në këtë pjesë të minierës do të fillojë në momentin që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të vendosë që këtu mund të punohet.

P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›