“Mesfushori 1”, të arrestuarit, prej tre muajsh nën hetim
Grupi prej katër të arrestuarve në operacionin “Mesfushori 1”, ku u kapën 4 kg heroinë dhe 1 kg kokainë kishte rreth 3 muaj që hetohej. Ndërkohë që personat e vënë në pranga mbrëmjen e së shtunës nuk kanë asnjë lidhje me arrestimin e kryer një muaj më parë, ku u vunë në pranga presidenti i klubit të Elbasanit, Arben Laze, vëllai i tij, Fajtoni dhe dy persona të tjerë.
Sipas burimeve nga policia, lidhja e vetme mes dy grupeve ka qenë miqësia midis ish-futbollistit të Elbasanit, Gjergji Gjika dhe presidentit të klubit verdheblu. Pas mbledhjes së informacionit për veprimtarinë kriminale të Thanas Bebit, Gjergji Gjikës, Bexhet Hidrit dhe Mikel Dimës, u organizua edhe operacioni “Mesfushori 1”, për arrestimin e tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me policinë e Elbasanit. Sipas burimeve nga policia, ishte përpiluar një dosje për aktivitetin e katër personave të arrestuar, pas mbledhjes së informacionit, me anë të përgjimit të telefonatave. Grupi merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Ata kishin arritur që të ndërtonin edhe një laborator, nga ku merreshin edhe me përpunimin e drogës dhe më pas hedhjen e saj në treg, me qëllim për ta shitur. Dy prej pjesëtarëve të grupit zotëronin një taksi, nëpërmjet së cilës ata merrnin mallin, për ta transportuar në Elbasan. Sipas burimeve nga policia, ka pasur edhe një bashkëpunim me doganën maqedonase. Pala shqiptare ka kërkuar që ata të lejojnë “pakon” nga pika kufitare e Qafë-Thanës, për të bërë të mundur arrestimin e transportuesve. Tashmë katër të arrestuarit pritet të dalin përpara drejtësisë shqiptare, ku akuzohen për konsumim të veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Itinerari i drogës
Sipas burimeve nga policia, droga e cila merrej nga katër personat e arrestuar, sillej nga Turqia nëpërmjet kontakteve të grupit. Më pas, ajo kalonte tranzit në shtetin maqedonas, për t’u marrë në dorëzim nga katër personat e arrestuar. Ata e sillnin drogën në Elbasan, ku më pas ajo transportohej në laborator për t’u përpunuar. Katër të arrestuarit kishin arritur që të krijonin një të tillë në një nga ish-magazinat në qytet, ku merreshin me përpunimin e drogës dhe më pas ajo ishte gati për t’u hedhur në treg. Sipas burimeve nga policia, një pjesë e saj ishte e destinuar për t’u shitur në tregun vendas, ndërsa pjesa më e madhe e saj transportohej për në Greqi.
Vlera e drogës
Vlera e drogës e kapur në operacionin “Mesfushori 1” është rreth 170 mijë euro. Në operacionin “Mesfushori 1” u kapën 4 kg heroinë dhe 1 kg kokainë. Heroina u kap në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, në një taksi në të cilën ishin Bexhet Hidri e Mikel Dima. Ndërsa heroina është gjetur në një magazinë në qytetin e Elbasanit, që shërbente si laborator, në të cilën janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe përzierës.
Lidhja mes Lazes dhe grupit të të arrestuarve
Nuk ka lidhje midis grupit të të arrestuarve në mbrëmjen e së shtunës dhe atij para gati një muaji, ku bënte pjesë edhe numri një i klubit të Elbasanit, Arben Laze. Sipas burimeve nga policia, e përbashkëta midis dy grupeve ka qenë se Gjergji Gjika ka qenë ish-futbollist dhe ka luajtur për klubin verdheblu para disa vitesh dhe kishte miqësi me presidentin e ekipit. Gjika kishte disa vjet që ishte shkëputur nga sporti i futbollit, për t’u marrë me profesionin e ri. Megjithatë, ai me Lazen vazhdonin që ta ruanin miqësinë, ndërkohë që ishte duke u marrë me një tjetër profesion fitimprurës.
Operacioni
Elbasan, “Mesfushori 1” çon në pranga katër persona
Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sekuestroi mbrëmjen e së shtunës 5 kg drogë dhe ndaloi katër persona. Sasia e drogës u kap në dy aksione të ndryshme, 4 kg heroinë në një automjet tip taksi, ndërsa 1 kg kokainë në një magazinë në Elbasan. Mësohet se ndalimi i këtyre shtetasve ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Lënda narkotike e kapur do të përdoret si provë materiale ndaj shtetasve të arrestuar. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare policore të qytetit të Elbasanit, të cilët shtuan: “Në bazë të një operacioni antidrogë të koduar “Mesfushori 1”, të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, është bërë i mundur ndalimi i 4 personave dhe sekuestrimi i 5 kilogramëve lëndë narkotike”. Sipas të njëjtave burime, shtetasit e ndaluar janë Thanas Bebi, Gjergji Gjika, Bexhet Hidri e Mikel Dima. “4 kg e llojit heroinë mësohet të jetë gjetur në taksinë e drejtuar nga Hidri, ndërsa 1 kg kokainë u gjet e fshehur në një magazinë në Elbasan”, - shtuan më tej burimet, duke theksuar se ky operacion u zhvillua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me policinë e Elbasanit, konkretisht me seksionin e Antidrogës. Sipas burimeve policore, në automjetin tip taksi kanë qenë duke transportuar drogën shtetasit Bexhet Hidri e Mikel Dima, ndërsa në magazinë me kokainën janë gjetur shtetasit Gjergji Gjika e Thanas Bebi.
25 dhjetor 2008
Në pranga Arben Laze dhe tre persona të tjerë
Presidenti i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, është arrestuar nga policia për trafik droge në operacionin “Mesfushori”. Së bashku me të janë vënë në pranga vëllai i numrit një të klubit sportiv, Fatjon Laze dhe dy persona të tjerë. Sipas hetimeve të kryera nga ana e policisë, të katër personat ishin pjesë e një grupi kriminal, i cili merrej me trafikun e drogës. Policia kishte disa muaj që po hetonte këtë grup dhe ditën e djeshme vuri në pranga edhe tre persona të tjerë. Në datën 23 dhjetor u arrestua në Divjakë me 1 kg heroinë Shkëlzen Hyzma, i cili sipas burimeve të policisë, ishte ortak me Lazen. Të arrestuarit janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë. Ata akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim”. Arben Laze kishte tetë vjet që ishte presidenti i klubit sportiv të futbollit të Elbasanit.
Arrestimi i presidentit të klubit të Elbasanit u krye në mbrëmjen e datës 25 dhjetor rreth orës 19:30. Së bashku me të u vu në pranga edhe vëllai i tij, Fatjon Laze. Presidenti i klubit verdheblu ishte duke qëndruar në lokalin e tij në Elbasan, ndërsa është organizuar operacioni i policisë për arrestimin e tij, në rrugën “Qamil Guranjaku”, 800 metra larg Drejtorisë së Policisë Elbasan.