Moti i keq; Devijon destinacion për 3 orë avioni i kompanisë “Albania Airlines”
Është detyruar të devijojë destinacionin një avion i kompanisë ajrore “Albania Airlines” gjatë mesnatës së kaluar. Shkak për devijimin e destinacionit është bërë moti i keq në momentin që avioni po përpiqej të ulej në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Pilotët e avionit me itinerar Athinë - Rinas pas komunikimit me kullën e kontrollit kanë marrë orientimin për të mos kryer uljen, por për të devijuar destinacion duke u nisur drejt Brindizit të Italisë. Pas gati 3 orësh qëndrimi në Brindizi udhëtarët e avionit “Albania Airlines” kanë mësuar se mund të niseshin drejt Shqipërisë, pasi është marrë “OK” nga aeroporti i Rinasit se kushtet e motit ishin përmirësuar, gjë e cila lejonte dhe uljen pa problem të avionit.