E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, tre të arrestuarit, 2 muaj nën hetim për abuzim

Tre ish-drejtuesit e minierës së boksideve në Priskë të Tiranës, të cilët u arrestuan dy ditë më parë për "korrupsion" në dhënien e pensioneve, ishin prej dy muajsh nën hetimin e Prokurorisë së Tiranës. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur se hetimet ndaj tyre morën shkas nga kallëzimet penale të bëra nga Drejtoria Rajonale e Sigurime Shoqërore dhe Policia e Tiranës për mashtrime me pensionet e pleqërisë. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor ka siguruar gjatë kësaj periudhe materiale hetimore që dëshmojnë se tre ish-zyrtarët e minierës së Priskës mund të jenë përfshirë në favorizimin për qëllime përfitimi të disa personave për përfitimin e pensioneve të pleqërisë përmes dokumenteve false. Megjithatë, pohuan burimet e mësipërme, do të jenë hetimet e mëpasme që do të sqarojnë përfundimisht pozicionin e tre të arrestuarve në çështjen e abuzimit me pensionet e pleqërisë. Forcat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë, arrestuan dy net më parë shtetasit Qazim Laci, ish-drejtor i minierës së boksideve në Priskë të Tiranës, Fatmir Sulaj, ish-shef kuadri në këtë minierë dhe Rabie Pupla, ish-shefe e seksionit të verifikimit të sigurimeve shoqërore të minierës. Këta persona dyshohet se janë implikuar në dhënien e pensioneve për dhjetëra persona, që nuk kanë punuar në minierën e Priskës. Ndërkohë, dyshohet se në këtë aktivitet korrupsioni të jenë përfshirë edhe pesë persona të tjerë, për të cilët është ende duke u hetuar. Denoncimet për abuzimet me pensionet kanë qenë të shumta këto muajt e fundit. Vetë DRSSH-ja ka denoncuar publikisht raste të shumta përfitimi të pensioneve nga persona që kishin falsifikuar dokumente, madje shpeshherë të ndihmuar në zyrtarë apo ish-drejtues të ndërmarrjeve të tyre.

Detaj

5 janë personat nën hetim, të cilët kanë punuar në minierën e Priskës dhe kanë përfituar padrejtësisht

3 ishin ish-zyrtarët e arrestuar dy net më parë për favorizimin në abuzimet me pensionet

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›