E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq bllokon disa zona te vendit

Reshjet e dëborës kanë bllokuar dhjetëra akse rrugore dhe zona të vendit në zonat e veriut dhe ato verilindore ndërsa policia e qarkullimit është në gatishmëri të plotë për të monituruar situatën

Vlorë, ndërpritet lundrimi

Një traget i linjës Vlorë- Brindizi i mbushur me pasagjerë ka qëndruar për gjatë gjithë natës në det. Koha e keqe ka paralizuar totalisht punën në portin e Vlorës dhe lundrimi është bërë i pamundur. Pasagjeret kanë mundur të zbresin nga trageti vetëm gjatë orëve të para të ditës së sotme, kurse shumë automjete, kamione dhe autobusë nuk mund të zbarkoheshin dot, si pasojë e dallgëve që pëerplaseshin me molin e trageteve. Era fryn me shpejtësi me 20 m/ sekond dhe deti arriti fuqine e tij në gji 5 ballë, ndërsa në det të hapur 8 deri 9 ballë...Kapiteneria është e gatshme për të pritur çdo alarm SOS të mundshëm që mund të vijë nga deti ndërsa anijet e tonazhit të rëndë dhe të mesëm janë në spirancë në radë

Durrës, 4 mijë pasagjerë kalojnë natën në port

Katër tragetet e linjës Durrës Bari, janë nisur drejt Italisë me katër orë vonesë.
Shkak është bërë era e forte si dhe dallgëzimi i detit që shkonte mbi tetë ballë jashtë gjirit të Durresit. Kjo situatë ka bërë që mbi 4000 pasagjerë të kalojnë natën jashtë në terminalin e pasagjereëve. Ndërkaq po nga kapiteneria bëhet e ditur se tragetet që vijnë nga portet e Italisë në drejtim të Durrësit, ndryshe nga planifikimi i orarit të lundrimit, pritet të mbërrijnë me katër orë vonesë. Aktualisht forca e detit jashtë gjirit të Durrësit shkon deri në 6 ballë ndërsa shpejtësia e erës në 18 metër në sekondë

Kukës, trashësia e borës 40 cm, izolohen disa komuna

Në Kukës reshjet e dëborës që kanë vazhduar gjatë orëve të fundit kanë sjellë izolimin e komunave të Zapodit, Shishtavecit, Grykë-Cajës, Kalisit, Arrnit, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth 40 centimetra. Në akset kryesore rrugore Kukës -Daj Rec, Kukës-Krumë dhe Kukës - Qafë Shllak trashësia e dëborës arrin në 30 centimetra, ndërsa ka patur edhe rrëshqitje dherash e gurësh, por që janë pastruar nga punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve. Policia ka shtuar postblloqet në akset rrugore , duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve, që nuk janë të pajisur me zinxhirë

Tropojë, furtuna shemb shtëpitë dhe pemët

Erërat e forta gjatë natës së djeshme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në komunën e Lekbibajt në Tropojës. Që nga mbrëmja e së premtes banorët po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e shembejes së shtyllave elektrike
Nga erërat e forta janë dëmtuar çatitë e 15 banesave, ndërsa 4 shtëpi të tjera janë bërë krejtësisht të pabanueshme. Dëmtimet të ndjeshme edhe në fshatrat e Batoshit dhe Tetajt.

Ngricat izolojnë Pukën

Reshjet e borës në zonat malore kanë paraqitur vështirësi në qarkullimin e automjeteve në qarkun e Shkodres. Situata paraqitet problematike në rrethin e Pukës ku shumë fshatra dhe rrugë janë tërësisht të izoluara. Njësia Rajonale e Qarkullimit rrugor u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirët në akset rrugore nacionale në drejtim të Pukës por edhe në drejtim të Vermoshit dhe Dukagjinit.

Librazhd, bien gurë dhe shkëmbinj, Murrashi, disa orë i bllokuar

Në zonën e Librazzhdit reshjet kanë shkaktuar probleme kryesisht në akset rrugore Përrenjas-Hotolisht-Dragostunjë –Librazhd e Murrash. Në të shumtën e kohës këto segmente bllokohen nga rreshqitja e dheut dhe e gurëve. Massive shkembijsh sidmos në zonën e Murrashit kanë bërë që qarkullimi të ndërpritet me orë të tëra. Policia ka ngritur postoblloqe për të monitoruar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›