E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë gjurmë të vrasësve të policit shqiptar në Shkup

Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga sulmi i armatosur në lagjen "Gazi Baba" të Shkupit kundër tre policëve, si pasojë e të cilit njeri prej tyre, shqiptari Afrim Arizi, u vra, kurse dy të tjerët u plagosën rendë, dhe policia speciale maqedonase "Alfa", pjesë e së cilës ishin tre policët, e ka vënë kryeqytetin maqedonas në rrethim policor, duke kontrolluar rigorozisht hyrje-daljet e tij, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë nuk ka bërë të ditur asnjë rezultat konkret për rezultatet e operacionit policor. Nga 40 të ndaluarit e dyshimtë lidhur me këtë sulm, vetëm njëri u mbajt në paraburgim, por edhe ai vetëm për armëmbajtje pa leje. MPB-ja maqedonase po shqyrton disa motive të mundshme për sulmin, megjithëse, menjëherë mbas sulmit, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se sulmi kundër policëve u ndërmor në shenjë hakmarrjeje ndaj disa operacioneve të fundit të suksesshme të policisë maqedonase. Gjatë disa operacioneve policore të kohëve të fundit, në pikëkalimin kufitar Bogorodica u zbulua dhe u konfiskua një sasi heroine me vlerë prej 1 milion eurosh dhe janë shkatërruar disa grupe kriminale që operonin në Shkup. Sidoqoftë, policia po shqyrton edhe mundësinë që sulmuesit mund të kenë lidhje me mafien e duhanit, një nga bosët e së cilës, shqiptari Bajrush Sejdiu, u arrestua para disa kohësh. Në median maqedonase ka spekulime se sulmuesit mund të jenë mercenarë të paguar nga Kosova, por edhe se ata mund të jenë kriminelë vendës. Presupozohet se sulmuesit edhe mund ta kenë kaluar tashmë kufirin e vendit me rrugë ilegale. Deri tani dihet se sulmuesit kanë qenë katër veta, dhe se ata, mbasi kryen sulmin e përgjakshëm kundër policëve, u futën në lagjen "Çair" që banohet në shumicën e saj nga shqiptarë. Fillimisht ata u fshehën në oborret e shtëpive të shumta të kësaj lagjeje dhe se më pas shkuan në lagjen periferike "Shutka", që banohet kryesisht nga romë. Dihet po ashtu se makinën "Golf" që përdorën gjatë sulmit, ata e lanë pak kohë mbas tij dhe më pas hipën në një makinë tjetër dhe ikën në drejtim të panjohur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›