Lirohen tre gjermanët e arrestuar në Prishtinë
Gjykata e OKB-së në Kosovë vendosi lirimin e tre gjermanëve që u arrestuan më 19 nëntor, në Prishtinë, mbi bazën e dyshimit se kanë marrë pjesë në sulmin me shpërthim lënde eksplozive kundër selisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare të BE-së në Prishtinë, njoftuan avokatët e tyre të mbrojtjes, të cilëve u referohet agjencia franceze e lajmeve, AFP. Sipas vendimit të gjyqit, nuk kishte prova të mjaftueshme që gjermanët e arrestuar, për të cilët u tha se i përkisnin shërbimit të zbulimit gjerman BND, të mbaheshin në paraburgim dhe se ata do të kthehen në Gjermani. Shtetasit gjermanë u arrestuan më 19 nëntor, pesë ditë mbasi një pajisje shpërthyese u hodh në oborrin e misionit të BE-së, ku ndodhet Kancelaria e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Piter Feit, por pa shkaktuar ndonjë viktimë. BND-ja gjermane, nga ana e saj, konfirmoi dje se tre të arrestuarit në Prishtinë janë agjentë të saj. Një gjykatës kosovar mori dje vendimin se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër tre shtetasve gjermanë në lidhje me sulmin, por nuk i liroi ata, duke ia kaluar çështjen Gjykatës së OKB-së që të merrte vendimin përfundimtar. Sidoqoftë, një grup i panjohur që e quan veten "Ushtria e Republikës së Kosovës", mori dje përsipër përgjegjësinë për sulmin, duke kërcënuar edhe për sulme të tjera kundër pakicës serbe që jeton në Kosovë.