Moti i keq, përmbyten disa qytete,ndërpritet energjia
Rreshjet e shiut të rëna në ditët e fundit kanë vënë nën ujë qindra hektarë tokë dhe disa shtëpi banimi në disa rrethe të vendit. Më problematike, situata paraqitet në malësinë e Kurbinit dhe në Fushë Krujë, por probleme u regjistruan edhe në Fier. Mungesa e energjisë elektrike ka bërë që dhjetra hektarë tokë në këtë fshat të jenë në ujë, duke shkaktuar dëmë të shumta në kulturat bujqësore. Shkak i gjithë kësaj situate është bërë mosfunksionimi që nga ora 15:00 e së premtes njërit prej hidrovorëve të këtij fshati. Situata e rënduar pranohet edhe nga kryetari i komunës së Fushë Kuqes, Ded Keraj i cili i kërkon OSSH-së të punojë për rikthimin e energjisë elektrike, për të mos lejuar përkeqësimin e situatës. Sipas Kerajt janë njoftuar strukturat e Qarkut dhe pritet të ngrihet dhe një Shtab i Emergjencës për të përballuar këtë situatë , ndërsa ende nuk ka një numër të qartë të shtëpive të banimit të dëmtuara nga përmbytjet. Një situatë e tillë paraqitet edhe në fshatin Bilaj dhe Mallkuc të komunës së Bubqit në Krujë. Ndërkohë, dalja nga shtrati e Lumit Gjanina ka krijuar probleme në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij. Si pasojë e përmbytjeve janë prekur rreth 90 banesa që shtriheshin në krah të lumit dhe dhjetra hektarë tokë në zonat përrreth. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, qyteti i Fierit vuajti për disa orë edhe mungesën e energjisë elektrike. Pas situatës së krijuar është mbledhur shtabi i emergjencave i cili ka analizuar situatën dhe ka marrë masa për normalizimin e saj.