E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informacionet terroriste kalonin nga shtetet e Sirisë dhe Iranit

Një rrjet informacioni mjaft i sofistikuar është gjetur në vendstrehimet e Artan Kristos, i arrestuar dy ditë më parë nën akuzën e nxitjes së propagandës për terrorizëm. Me urdhër të Gjykatës së Tiranës, policia ka sekuestruar 600 CD, katër servera dhe pesë laptopë, të gjithë në pronësi të Kristos, i mbajtur nën vëzhgim edhe nga shërbimet inteligjente amerikane që veprojnë në Shqipëri. Burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetën "Shqip" se sendet e sekuestruara janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për ekzaminime, ndërsa kanë dalë edhe informacionet e para. Katër kompjuterët kanë pasur lidhje me disa servera në shtetet e Iranit dhe Sirisë, në të cilat kalonin kërcënimet, për t‘u postuar më pas në forumin në faqen e internetit www.albselefet.com/forum. Të gjitha të dhënat e gjetura kanë pasur të njëjtat mbishkrime, por emra të ndryshëm, çka ka ngritur dyshime se personi që i niste këto të dhëna ishte vetëm një. Në hetimet dymujore të Prokurorisë së Tiranës janë përdorur të gjitha teknikat e hetimit, nga ku ka rezultuar se Artan Kristo postonte në një faqe interneti nxitje për terrorizëm.

Sekuestrimet

Prej dy muajsh Prokuroria e Tiranës dhe Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës ishin vënë në gjurmë të disa kërcënimeve për terrorizëm në një faqe interneti. Janë kryer veprimet e para, ndërsa pala shqiptare ka kërkuar më shumë informacion te shërbimet amerikane që veprojnë në Shqipëri. Prej dy muajsh janë kryer dhjetëra verifikime, nga ku rezulton se mesazhet kërcënuese që postoheshin në faqen e internetit kishin prejardhje nga shtetet e Iranit dhe Sirisë. Prokuroria dhe policia kanë gjetur origjinën e mesazheve, ndërsa drejtësia shqiptare veproi menjëherë për t‘i ndaluar këto informacione që vinin nga vendet islamike. Dy ditë më parë, krahas arrestimit të Artan Kristos, agjentët e Antiterrorit në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me hetues të prokurorisë, kanë kryer një sërë kontrollesh në vendstrehimet e 31-vjeçarit. Kanë arritur të gjejnë rreth 600 CD, me fjalime dhe mesazhe komprometuese. Janë sekuestruar katër kompjuterë në formën e serverave. Gjatë verifikimeve të para ka rezultuar se në servera ka materiale shkencëtarësh dhe të teologëve arabë. Hetuesit kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve më të specializuara. Krahas CD-ve dhe katër serverave, prokuroria ka arritur të bllokojë edhe pesë kompjuterë laptopë, nga ku postoheshin në faqen e internetit mesazhet kërcënuese.

Mesazhet kërcënuese

Një automjet i policisë, pa targa, ka transportuar dje në mesditë në Prokurorinë e Tiranës dhjetëra sende që i janë sekuestruar Artan Kristos. Agjentët e policisë kanë dërguar në zyrat e hetuesve të çështjes kompjuterët dhe dhjetëra dokumente, nga ku mund të dalin mesazhet kërcënuese që janë postuar në faqen e internetit. Por, pas arrestimit të Artan Kristos, që njihej në rrethet e besimtarëve me emrin Muhamed Abdullai, anëtarë të forumit "Albselefet", ku ai dyshohet se kishte propaganduar kryerje të veprave me qëllime terroriste, deklarojnë se janë kundër çdo forme të terrorizmit. Por ndërsa kjo faqe aktualisht ndodhet nën survejim dhe prokuroria ka tërhequr materialet nxitëse të Kristos, vetë forumi e ka fshirë postimin e tij. Megjithatë, burimet nga prokuroria thanë se në serverat e sekuestruar dhe në dëshmitë e disa personave faktohet që shtetasi Artan Kristo ka konsumuar elementët e veprës penale të propagandës dhe nxitjes për qëllime terrorizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›