Moti i keq, probleme në portet Vlorë e Durrës
DURRES- VLORE Porti i Vlorës është përfshirë sot nga mot i keq me stuhi dhe deti ka arritur deri në 8 ballë. Madje Moti i keq dhe me erë të fuqishme që ka përfshirë hapësirën detare mes Italisë e Shqipërisë, ka shkaktuar pezullimin e lundrimit të tragetit të linjës Brindizi-Vlorë. Sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës, trageti “Aqoudimos”, që duhet të mbërrinte në Vlorë sot në mëngjes, nuk është nisur nga porti i Brindisit, për shkak të motit të keq dhe forcës së dallgëve, që në det të hapur arrijnë në 7-8 dhe 9 ballë. Era e fortë që ka nisur gjatë orëve të natës, vazhdon ende, me shpejtësi 20-25 m/sek, me drejtimin nga juglindja. Gjithsesi duket se në gjirin detar dhe në portin e Vlorës, gjendja është më e qetë në krahasim me hapësirën detare në det të hapur ku duket se këtu era arrin shpejtësinë 17-20 m/sek. Një javë më parë, moti i keq dhe era e fortë krijuan mjaft vështirësi në përpunimin e mjeteve lundruese në portin e Vlorës.
Ndërkohë në portin e Durrësit dy tragete udhëtarësh mbërritën me vonesë sot paradite ndërsa një i tretë e anuloi lundrimin për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar. Sipas kapitenerisë së portit lundrimi i trageteve “Grecia” dhe “Aurelia”, që ishin nisur natën e kaluar nga porti i Barit (Itali), u vështirësua për shkak të detit të trazuar me forcë 7-8, sidomos në brigjet italiane dhe pjesën e mesit të kanalit detar. Trageti “Grecia” u ankorua në kalatë rreth orës 10:30, ndërsa trageti “Aurelia” është ankoruar më vonë.
Trageti “Ionis” nuk lundroi natën e kaluar nga Bari në Durrës për shkak të erës së fortë me shpejtësi 17-18 metra në sekondë dhe detit të trazuar. Për shkak të kushteve të motit, edhe motopeshkatoret vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara. Kapiteneria e portit bëri të ditur se në brigjet shqiptare, në një gjërësi prej rreth 20 milje, deti ka një forcë 5-6 dhe se këto kushte të motit do të vazhdojnë të jenë për 24 orët e ardhshme.
(s.g/BalkanWeb)