Shkodër, fshatrat probleme me rrjetin elektrik
SHKODËR - Reshjet e dëborës në zonat malore kanë sjellë probleme të njohura për banorët, por që akoma nuk po gjejnë zgjidhje. Në komunën e Këlmendit në Malësi të Madhe, amortizimi i rrugës deri në Vermosh, dëmtimet e shpeshta të rrjetit elektrik, mungesa e shërbimit mjekësor të plotë, pamundësia ekonomike për të siguruar rezerva ushqimore për njerëzit e bagëtitë për një kohë të gjatë janë disa nga shqetësimet e banorëve. Rruga tepër e amortizuar kalohet vetëm me zinxhirë dhe mjete të rënda deri në Selcë, ndërsa më tej është e pamundur. Marash Pëllumbi, banor i Vermoshit shprehet se ka bërë 3 orë rrugë në këmbë për të arritur deri në qendrën e komunës Tamarë ku mund të gjejë mjet për të lëvizur drejt Shkodrës. Një tjetër banor, Ndue Bujaj, tregon se përveç rrugës, izolimit nga dëbora për një kohë të gjatë, ka probleme dhe me energjinë elektrike. Rrjeti është i amortizuar dhe telat përcjellës janë tela me gjemba prej atyre që ka pasur dikur në kufi. Era e fortë, bora e orteqet dëmtojnë shtylla e tela elektrikë që këputën vazhdimisht duke lënë në errësirë fshatra të tërë. Ka vetëm një elektricist dhe ai bën tre ditë për të arritur deri tek vendi i defektit, pa folur për vështirësitë e riparimit të defektit, ndërkohë që janë 30 km linjë elektrike. Problemin e defekteve të shumta në rrjetin elektrik e ngre dhe kryetari i komunës së Këlmendit, Ndue Lelçaj, i cili shton se ka 35 vjet që rrjeti shpërndarës është i amortizuar dhe defektet e shumta i lënë pa dritë banorët.