E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i BB, si do të bëhet regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme



Ervin KOÇI

Regjistrimi i pronave dhe i pasurive të paluajtshme në vendin tonë do të bëhet në bazë të një projekti të ri, i cili synon modernizimin dhe dixhitalizimin e të gjithë këtij inventari. Ky projekt i cili po financohet nga Banka Botërore ka për qëllim riregjistrimin dhe përpilimin e të gjithë pasurive të patundshme në vendin tonë, me qëllim shmangien e të gjitha problemeve dhe falsifikimeve. “Prona e paregjistruar është pronë ‘e ngrirë’. Me të nuk mund të bëni asnjë veprim.’Nuk mund ta shisni atë! Pra nuk ka vlerë! Duke e regjistruar, prona juaj bëhet ‘aktive’. Bëhet pronë e vërtetë!”. Ky është slogani dhe njëkohësisht sugjerimi dhe qëllimi i projektit të BB-së dhe ZQRPP-së. Që një pronë (pasuri e paluajtshme) të njihet zyrtarisht, duhet: që ajo të njihet zyrtarisht në çdo kohë dhe nga çdo institucion apo individ. Kjo bëhet me qëllim që çdo njëri të ketë mundësi ta përdorë pronën e tij sipas dëshirës për shfrytëzim, shkëmbim ose shitje, duke marrë pjesë në tregun e pasurive të paluajtshme, apo edhe që çdonjëri, posedues i pronës respektive, të jetë plotësisht i sigurt dhe i ligjshëm në zotërimin e saj brez pas brezi. Projekti i Regjistrimi Fillestar të Pasurive të Paluajtshme që financohet nga BB-ja nëpërmjet Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01) dhe që në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP), i mundëson gjithsecilit, posedues pasurie të paluajtshme, regjistrimin e saj brenda 45 ditëve.

Sistemi i ri
Në funksion të realizimit të qëllimit të këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë. Ndërkohë, paralel me këtë projekt, financuar po nga BB-ja po zhvillohet edhe projekti “Fushata e Ndërgjegjësimit Publik për të mbështetur regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Ky projekt tjetër realizohet për të mbështetur ndërgjegjësimin publik dhe pjesëmarrjen e pronarëve në procesin e Regjistrimit Fillestar të pasurive të tyre të paluajtshme.

Regjistrimi Fillestar i Pronës
Burime nga Projekti i BB-së, “Regjistrimi Fillestar i Pasurive të Paluajtshme”, si edhe nga ZQRPP-ja saktësojnë se, “prona regjistrohet nëpërmjet një kompanie private të specializuar, të kontraktuar nga Kryeregjistruesi i Shqipërisë. Kjo kompani ka një Zyrë në çdo zonë kadastrale. Ekspertët e saj kryejnë matje për evidentimin e kufijve të pronës dhe grumbullojnë informacion në lidhje me pronën. Kësaj kompanie nuk i detyrohet askush, asnjë lloj pagese për veprimet në ndihmë të gjithsecilit”. Të njëjtat burime, tërheqin vëmendjen për faktin se është në interesin e gjithkujt të bashkëpunojë ngushtë me ekspertët duke ju treguar atyre kufijtë e pronës, si dhe informacione të tjera plotësuese në të gjitha format e disponueshme. Nga specialistët e programit të BB-së dhe ZQRPP-së, mësohet se, “procesi i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme kalon në këto faza: Mbledhja dhe Saktësimi i Dokumentacionit; Përgatitja e Hartës dhe Kartelës së Pasurive të Paluajtshme; Afishimi Publik 45 ditor (saktësime dhe verifikime) si edhe; Marrja e Certifikatës së Pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP)”.

BOX////////////////////////
Pasaktësitë në dokumentacion, individët duhet të ndjekin dorëzimin e dokumenteve

Dorëzimi i dokumentacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme nga individi tek zyrat e agjencisë, mund të shkaktojë edhe probleme. Të tilla janë pasaktësitë në dokumentacion ose mungesa e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm që kërkohet për regjistrimin e pronës. Në të tilla raste, nga specialistët sugjerohet që i interesuari të tregojë kujdes dhe të ndjekë deri në fund dorëzimin e plotë të dosjes me dokumentet për regjistrimin e pronës ose pasurisë së patundshme. Duke parashikuar ndonjë pasaktësi në dokumentacionin paraprak, specialistët e BB-së dhe të ZQRPP-së, tërheqin vëmendjen për plotësimin e tyre dhe dorëzimin vetë, nga gjithsecili që është i interesuar që të regjistrojë pronën e tij, jo te ekspertët e kompanisë së huaj, por pranë ZVRPP-ve. “Në rast se gjatë matjeve dhe verifikimeve në terren për vërtetësinë e informacionit dhe përcaktimin e kufijve të pasurisë konstatohen mangësi në dokumentacion, atëherë gjithsecili që gjendet para një situate të tillë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë dokumentet te ZVRPP-të, që ndodhen në çdo qytet”,- saktësojnë burimet e Projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.

Dokumentet për regjistrimin e një prone

Në procesin e regjistrimit fillestar të një prone, e rëndësishme mbetet dokumentacioni. Specialistët bëjnë të ditur se, për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme, nevojiten: të gjithë dokumentet e pronësisë të lëshuar nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim; të gjithë dokumentet e lëshuar pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si edhe; të gjithë dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie, vendim gjykate etj. “Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin Regjistruesit të ZVRPP-së, një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim”,- shtojnë më tej specialistët e ZQRPP-së.

Regjistrimit dhe marrja e certifikatës së Pronësisë

Specialistët shpjegojnë më pas, rrugën deri në regjistrimin dhe marrjen e certifikatës së pronësisë. Sipas tyre, mësohet se, pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar, përgatitet Kartela e Pasurisë se Paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në Hartën Treguese të Regjistrimit. Specialistët tërheqin sërish vëmendjen se është e rëndësishme që, gjithsecili të verifikojë saktësinë e Kartelës dhe Hartës Treguese të Regjistrimit të pronës, gjatë procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në Kartelën e pronës dhe Harta Treguese e Regjistrimit, afishohen publikisht nga në një ambient brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. “Ky moment është shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Kurrsesi mos e anashkaloni atë! Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave”,- shtojnë specialistët. Në rast se, ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së Afishimit Publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një kërkesë me shkrim te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi (qoftë edhe një shkronje në emër) që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitni edhe dokumentacionin që vërteton pretendimin e gjithsecilit. Brenda periudhës 45 ditore të afishimit, duhet që sërish, pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara, sqarojnë midis të tjerave burimet e Projektit të BB-së dhe ZQRPP-së. Pas periudhës 45 ditore, vjen çasti që gjithsecili merr dokumentin që e bën pronarë. Në këtë rast, për pasuritë që nuk ka pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet “Certifikata për Vërtetim Pronësie” dhe poseduesit e të drejtave të tjera reale të pasurisë (qira, hipotekim, servitude, etj.) pajisen me certifikatën përkatëse.

tabela/////////////////////////////////////////
Fazat e procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

1. Mbledhja dhe Saktësimi i Dokumentacionit, ku përfshihet:
* Grumbullimi i Dokumentacionit
* Fushata për Informimin e Publikut
* Fotografimi/Skanimi i dokumentare
* Regjistrimi Sporadik i përfshirë në Regjistrimin Fillestar
* Azhornimi i Hartave Treguese dhe Librit të Ngastrave
* Përgatitja e Kartelave të Pasurive
* Monitorimi i Fazës I nga ZVRPP dhe ZQRP, dhe aprovimi i punës

2. Përgatitja e Hartës dhe Kartelës së Pasurive të Paluajtshme, ku përfshihet:
* Printimi i Parë i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Afishimi Publik i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Analiza e Kërkesave/Vërejtjeve të pronarëve dhe Plotësimi apo Korrigjimi i gabimeve të mundshme
* Monitorimi i Fazës II nga ZRRPP dhe ZQRPP dhe aprovimi i punës

3. Afishimi Publik 45 ditor (saktësime dhe verifikime), ku përfshihet:
* Printimi i Dyte + Harta Treguese e Regjistrimit + Kartelat + Lidhja e Kartelës
* Legalizimi i Regjistrimit Fillestar nga ZRRPP

4. Marrja e Certifikatës së Pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), ku përfshihet:
* Dorëzimi i dokumentacionit ne ZRRPP dhe ZQRPP

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›