E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, reshjet e borës ua lënë vendin shirave

Thirrja e policisë për drejtuesit e automjeteve: Përdorni zinxhirë. Punëtorët e mirëmbajtjes vazhdojnë hedhjen e skorieve dhe kripës

Reshjet e dendura të borës kanë filluar që në disa qytete apo komuna të Shqipërisë t’ua lënë vendin reshjeve të shiut. Shkak është bërë rritja e temperaturave disa gradë, çka ka sjellë një lehtësim të dukshëm në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të vendit. Megjithatë, ndonëse bora diku ka pushuar së rëni apo diku ka nisur të shkrijë, Drejtoritë Rajonale të Rrugëve kanë vazhduar me hedhjen e kripës dhe të skorieve në rrugë, për të bërë sa më të lehtë qarkullimin, ndërsa evitojnë në këtë mënyrë edhe aksidente të mundshme rrugore. Sipas burimeve zyrtare, në qarkun e Kukësit, Dibrës dhe Korçës, në disa segmente rrugore ka prezencë akulli. Punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve, në bashkëpunim me kompanitë e nënkontraktuara, kanë punuar gjatë ditës për hedhjen e skories për shkrirjen e akullit në këto segmente rrugore. Mbeten problematike komunat e thella dhe lëvizja e mjeteve në akset që lidhin qytetet me këto komuna. Policia vazhdon të apelojë dhe t’u bëjë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirë në këto akse. Po ku ka filluar rënia e dëborës të transformohet në rënie shiu përveçse në kryeqytet. Në qarkun e Pukës, rritja e ndjeshme e temperaturave ka transformuar reshjet e borës në shi. Shkrirja graduale e reshjeve të borës do të çojë në rritjen e prurjeve në kaskadën e Drinit. Në të gjithë segmentet rrugore ka prezencë akulli. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes dhe të lëvizin me zinxhirë. Ndërsa në Dibër, akset rrugore vazhdojnë të jenë të mbuluara nga dhe ngrica- akulli. Konkretisht, në akset Peshkopi – Klos, Qafa e Buallit – Krastë kalohet vetëm me zinxhirë. Në Dibër mbeten të bllokuara komunat Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë. Në rrethin e Bulqizës është e bllokuar komuna Trebishtë, Ostren dhe disa fshatra të komunës Zvecan. Në rrethin e Matit komunat e bllokuara janë Xibër dhe Macukull. Kjo e fundit prej 18 ditësh e izoluar nga rrëshqitjet e tokës dhe reshjet e borës. Në qarkun e Kukësit, sipas të dhënave, reshjet e borës janë transformuar në reshje shiu. Në akset nacionale është shkrirë akulli dhe është i lirë qarkullimi. Në akset që lidhin komunat kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Vazhdojnë të mbeten të bllokuara Grykë-Caj, Zapod, Arrën dhe Margegaj, e Lekbibaj. Po punohet për të mbajtur në funksion të plotë aksin nacional Morinë – Tuneli i Kalimashit. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›