Gjykata ; Sot, masa e arrestit për Tunxh Vatnikaj
Tunxh Vatnikaj nuk është paraqitur dje në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e arrestit, e cila do t’i caktohet nga gjykata me kërkesë të prokurorit të çështjes. Shkak, sipas burimeve nga gjykata, është bërë mosmarrja e dijenisë për zhvillimin e kësaj seance. Për këtë arsye, ky shtetas do të njihet me akuzën ditën e sotme, e cila do t’i komunikohet nga prokurori Armand Gurakuqi dhe do të caktohet nga gjyqtari Altin Abdiu. Ish-kreu i AKKP-së akuzohet për kalimin me dokumente të falsifikuara të një prone tek të tjerë pronarë, jo te pronarët e ligjshëm. Bëhet fjalë për 48 ha tokë në Synej të Kavajës, i quajtur “Plazhi i Gjeneralit”. Ndonëse është përpjekur që fajtorë të bëjë vartësit e tij për kalimin e procedurës për miratim, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë akuzuar ish-eprorin e tyre, madje duke e akuzuar atë edhe për nxitje të kalimit të kësaj procedure. Për këtë abuzim në tjetërsimin e pronës, ish-kreu i AKKP-së dhe 10 persona të tjerë do të përballen në Gjykatën e Tiranës për akuzat e ngritura. Ndërkohë që me masën “arrest shtëpie” janë duke u hetuar avokati dhe disa punonjës të AKKP-së dhe një ish-zyrtar i Hipotekës. Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme, rreth 450 dynymë tokë në zonën e Komunës Synej dhe konkretisht te “Plazhi i Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”. Prokuroria mori nën hetim rreth 10 persona pas zbulimit të skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim, pasi kanë “mashtruar” me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës.