E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, ngrica pushton vendin

Nga reshjet e shumta të shiut, vendi ynë është zhytur nën reshjet e dëborës. Trashësia e mbretit të bardhë ka arritur deri në 1 metër në zona të caktuara, të vendit, ndërkohë që edhe disa akse rrugore janë bllokuar për shkak të problemit që hasnin makinat në dëborë, duke sjellë ndërhyrjen e instancave të emergjencës civile për të ndërhyrë, në mënyrë që të normalizojnë transportin rrugor.

Moti

Shërbimi Meteorologjik i Forcave të Armatosura deklaroi se deri në fund të këtij muaji, pra të vitit, reshjet e dëborës do të vazhdojnë në zonat malore të vendit, ndërkohë që do të ketë edhe reshje shiu në zonat bregdetare, ndonëse do të jenë kryesisht me intensitet mesatar. Situata nuk pritet të ndryshojë as në fillim të janarit, ndonëse parashikimi për muajin pasardhës është i vështirë.

Tropojë

Nënprefekti i Tropojës, z. Bujar Hasanpapaj, deklaroi dje për mediat vizive se situata ishte nën kontroll dhe se në shumicën e territorit, sipërfaqja nuk ishte më shumë se 10 centimetra. “Përjashtim bën situata në aksin rrugor Fierzë – Qafë-Mali, i cili është i bllokuar pasi trashësia e borës ka arritur në rreth 40 centimetra. Po punohet nga specialistët për eliminimin e defekteve me synimin që brenda ditës së sotme të rinisë furnizimi me energji elektrike i tyre", - tha Bujar Hasanpapaj.

Dibër

Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore të cilat kanë filluar rreth orës 23 deri në orët e para të mëngjesit. Reshjet ende vazhdojnë ndërsa trashësia deri tani ka arritur në 20 cm në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella trashësia ka arritur në mbi 35 cm. Nga informacionet e deri tanishme nga DRRR Dibër dhe nga zyra e emergjencave të prefekturës, të gjitha akset Nacionale janë të kalueshme me zinxhirë. Problematike janë rrugët rurale që lidhin disa komuna të thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës, Klenja, Sterbleva ku trashësia e borës është më e madhe dhe mirëmbajtja dimërore nga komunat është më e vështirë. Probleme me bllokimin e rrugëve ka dhe në disa fshatra shume afër qytetit të Peshkopisë, pasi komunat zyrat i kanë pranë qytetit dhe raportohen si të zhbllokuara.

Korçë

Moti i keq me reshje të dendura dëbore dhe temperatura të ulëta ka përfshirë rajonin e Korçës prej mbrëmjes së djeshme, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Në qytetin e Korçës janë regjistruar më tepër se 10 cm dëborë, ndërsa në zonat e thella malore ajo i ka kaluar të 40 centimetrat.

Drejtori i Rrugëve Nacionale, Kreshnik Zgjani, tha se situata është në kontroll dhe se po punohet të mos bllokohet asnjë rrugë. Të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me qytetet e tjera të vendit janë të hapura, por mbetet i vështirë kalimi në disa segmente të këtyre akseve. Në aksin Korçë – Kapshticë në orët e para të mëngjesit ka qenë problematike kthesa e Cangonjit,në aksin Korçë – Ersekë, Qafa e Qarrit dhe në aksin Korçë – Qafë-Thanë ka pasur vështirësi në Qafën e Plloçës dhe Qafë-Thanë, ku edhe sasia e borës ishte e konsiderueshme dhe lëvizja e mjeteve bëhej vetëm me zinxhirë.

Në orët e para të mëngjesit ka qenë i pakalueshëm aksi që lidh Korçën me Dardhën, ku ka qenë e pamundur ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për shkak të shtresave të akullit. Nga ana e Drejtorisë Nacionale të Rrugëve është bërë kriposja e të gjitha akseve nacionale dhe është ndërhyrë me mjete borëpastruese në segmentet më problematike, duke bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve.

Për sa u përket akseve rurale, rruga Voskopojë – Lekas është e kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa rruga që lidh Sllabinjën me Velçanin, në zonën e Mokrës është e pakalueshme, për shkak të trashësisë së borës që është mbi 30 cm. Pavarësisht përmirësimit të qarkullimit, drejtuesit e Policisë Rrugore këshillojnë drejtuesit e mjeteve, të cilët udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe Kapshticës, të pajisen me zinxhirë, për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të kushteve të motit. Situata është duke u monitoruar nga shtabi i emergjencave në Prefekturën e Korçës, i cili bën të ditur se në zonat e bllokuara nga bora nuk ka pasur raste të emergjencave shëndetësore dhe as kërkesa për produkte ushqimore.

Rrugët e bllokuara

Në aksin Peshkopi – Tiranë në segmentin nga Ura e Qytetit deri në Qafën e Dushkut kalimi bëhet vetëm me zinxhirë, ndërsa në pjesën tjetër qarkullimi është i lirë. Aksi Peshkopi – Librazhd kalimi është i vështirë më zinxhirë nga Qafë-Dragalica – Klenjë – Stërblevë. Aksi Peshkopi – Kukës kalohet ma vështirësi me zinxhirë dhe probleme ka në Qafë-Draj dhe Kala të Dodës, ku trashësia shkon në 40 cm. DRRR Dibër ka marrë të gjitha masat dhe fadromat me punëtorët e mirëmbajtjes kanë punuar që në orët e para të mëngjesit, duke hedhur sasinë e kripës dhe skories për mbajtjen nën kontroll të situatës. Bashkitë Peshkopi dhe Bulqizë kanë marrë të masat e nevojshme për furnizimin me lëndë djegëse (dru zjarri) për ngrohje dhe në shkollat dhe kopshtet e rrethit nuk ka probleme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›