Moti, ulen temperaturat me 5 gradë Celsius
Dita e djeshme tregoi se i nxehti afrikan nuk do të jetë më i pranishëm në vendin tonë. Të paktën për disa ditë, pasi sinoptikanët paralajmërojnë se ai do të kthehet sërish në fillim të gushtit. Pas një jave kur zhiva e termometrit u ngjit gati çdo ditë në vlerat 40 gradë Celsius, sinoptikanët japin lajme të mira për ata që kanë përfunduar pushimet, por jo për ata që janë duke bërë ende plane. Sipas meteorologëve, e shtuna ishte dita e fundit që termometri shënoi vlera kaq të larta, ndërsa duke filluar që nga dita e djeshme e përgjatë gjithë javës së fundit të muajit korrik ato do të ulen ndjeshëm me 5 gradë Celsius. Kryeqyteti është përfshirë dje nga shirat dhe, sipas specialistëve të Shërbimit Meteorologjik, temperatura maksimale në kryeqytet shënon 32 gradë Celsius. Gjatë javës temperatura maksimale në Tiranë arriti në 37 gradë. Sinoptikanët sqarojnë se kjo ulje e vlerave të temperaturave do të prekë të gjithë rajonin e Mesdheut, përfshi këtu edhe Shqipërinë, ku vlerat maksimale të temperaturave nuk do t'i kalojnë të 30 gradët. Por ata që i kanë prenotuar pushimet në muajin gusht nuk duhet të shqetësohen aspak për këtë parashikim, pasi sinoptikanët kanë paralajmëruar se në fillim të muajit gusht do të ketë sërish rritje të temperaturave.
#