Policia: 38-vjeçari nga Bërdica është vetëvrarë
Dashamir Peci, 38-vjeçari i gjetur i vdekur pranë shtëpisë, në fshatin Bërdicë, është vetëvrarë. Ky ka qenë konkluzioni zyrtar i Policisë së Shkodrës pas hetimeve të kryera dhe në bazë të provave të grumbulluara në 24 orët e fundit. Burime nga blutë e Shkodrës bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur një pistoletë që pas veprimeve hetimore rezultoi se i përkiste viktimës, armë të cilën ai e mbante pa leje. Të njëjtat burime saktësojnë se pas përfundimit të autopsisë ka rezultuar se vdekja e 38-vjeçarit është shkaktuar nga një plumb i vetëm, që është gjetur në kokë dhe qitja është kryer nga arma e gjetur në vendin e ngjarjes. Ajo që e përforcon pistën e vetëvrasjes për policinë është dhe fakti që sipas deklarimeve të familjarëve, kohët e fundit viktima kishte shfaqur shenja depresioni. Në bazë të këtyre të dhënave, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, duke u bazuar edhe në akt-ekspertizën balistike të armës, ka arritur në përfundimin se Dashamir Peci, është vetëvrarë në kushtet e një tronditje të thellë psikike.
38-vjeçari u gjet i vrarë me armë zjarri mbrëmjen vonë të së shtunës, pak metra larg shtëpisë, në fshatin Bërdicë të Rrethit të Shkodrës. Menjëherë pas ngjarjes policia ngriti dy pista kryesore të ngjarjes: ajo e vrasjes dhe vetëvrasjes. E kaluara e viktimës, i cili ishte akuzuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1998, por që gjykata e kishte pezulluar për mungesë provash, hodhi dyshime se viktima ishte vrarë për motive gjakmarrjeje. Por pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale rezultoi se viktima ishte vetëvrarë në kushtet e një gjendjeje të rëndë psikike.
#