E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza e Interit: Derbin e fitoi arbitri, jo Milani

Altin Latifi 

Arbitri Morganti është konsideruar fajtori kryesor për humbjen 1-0 të Interit, në derbin me Milanin dy ditë më parë. I pari që ka nisur serinë e akuzave, ka qenë Zllatan Ibrahimoviç, që në dalje të "San Siros", ka thënë vetëm një frazë të rëndë: "Ndeshjen e fitoi arbitri, jo Milani". Në konferencën e zakonshme për shtyp, Hoze Murinjo nuk ka pranuar të bëjë komente në lidhje me Morgantin. "Nuk e bëj sepse dua të jem sërish në pankinë javën e ardhshme. Nëse bëj komente për të, do të më dënojnë", tha trajneri portugez. Megjithatë, dukej qartë se inati i Murinjos ishte pikërisht me gjyqtarin e ndeshjes. "Burdizo nuk meritonte asnjë prej dy kartonëve të verdhë, ndërsa për Materacin është një film i parë njëherë. Në pankinë protestuan edhe Barezi e Kordoba, por u ndëshkua vetëm Marko. Ai ka humbur nënën që i vogël dhe e shajnë në çdo stadium. Për këtë djalë nuk ka fare respekt. Nuk jam racist, por s'e kuptoj pse ndëshkohet një kor racist dhe jo sjelljet ndaj Materacit", tha më tej Murinjo.
Lojtarët
Nuk kanë munguar akuzat as nga futbollistët. Patrik Vieira është parë më shumë se i inatosur. "Milani nuk e meritonte fitoren, ishte një penallti neto për Adrianon", tha francezi. Akuza të forta edhe nga kapiteni Havier Zaneti. "Jam kapiten dhe më duhet të flas me arbitrin herë pas here në fushë. Por, këtë herë ishte e pamundur. Kishte një penallti të pastër ndaj Adrianos, por kur shkova t'ia them Morgantit, nuk më lejoi të afrohesha, madje mbante në dorë kartonin e verdhë", u shpreh gjithë nerva Zaneti.
Morati
Milani fitoi ndeshjen e tij, bëri një gol shumë të bukur dhe tre brazilianët luajtën shumë mirë. Ne e bëmë mirë pjesën tonë dhe një barazim për mendimin tim do të kishte qenë rezultati i drejtë, por kjo nuk e heq shprehjen se futbolli është i padrejtë". Kështu është shprehur dje presidenti i Interit Masimo Morati, në lidhje me derbin e së dielës, që Milani e fitoi 1-0 me golin e Ronaldinjos. Lojtarët kanë fajësuar arbitrin për këtë disfatë, sidomos Ibrahimoviç. "Mendoj se janë fjalë të thëna pas ndeshjes, megjithëse vendimet ishin pak të tepruara. M'u duk e tepërt që arbitri shkoi në pankinë për të gjetur dikë që ta nxirrte jashtë", deklaroi Morati.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›