E Shtunë, 31 Tetor 2026

MotoGP Lorenco fiton ne Katar

Pasi u nis nga “pole position”, Horge Lorenco me Jamaha fitoi garën e parë të Botërorit 2012 në MotoGP që u zhvillua në Katar, pasi i rrëmbeu kampionit të botës në fuqi, Kejsi Stoner vendin e parë kur kishin mbetur vetëm tre xhiro nga fundi.
Australiani Stoner, i cili e kishte fituar katër herë në pesë vjet garën që zhvillohet në dritën e prozhektorëve, u kalua edhe nga shoku i skuadrës te Honda zyrtare, Dani Pedroza në kthesat e fundit dhe u pozicionua vetëm në shkallën më të ulët të podiumit.
Stoner kryesoi pjesën më të madhe të garës pasi parakaloi Pedrozën në xhiron e dytë dhe Lorencon vetëm pak çaste më pas, megjithatë gara e “kangurit” u ndikua nga një kontraktim muskulor në krahun e djathtë, që nuk e lejoi të jepte maksimumin në cirkuitin e Losailit.
Prej problemeve të Stoner, Lorenco dhe Pedroza nisën të shkurtonin diferencën, që kur kishin mbetur edhe katër xhiro nga finishi ishte mbi një sekondë dhe më pas arritën ta linin mbrapa, ndërsa për Lorencon dhe Jamahan triumfi erdhi si një shpërblim për dominimin gjatë gjithë fundjavës në Katar.
Britaniku Kal Krutçlov u rendit në vendin e katërt, përpara Doviciozos, ndërsa më pas u rendit Hajden, piloti me klasifikimin më të mirë për Dukatin. Zhgënjen Valentino Rosi, që vazhdon krizën e paraqitjeve dhe e mbylli garën në vendin e dhjetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›