E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet energjia në Tiranë

 

Një zjarr i rënë dy ditë më parë, në nënstacionin e Uzinës së Traktorëve, u bë shkak që gjysma e kryeqytetit të vuante mungesën e energjisë elektrike. Zjarri ka rënë në orët e parë të mëngjesit të ditës së enjte dhe energjia elektrike u rikthye dje. Sipas burimeve nga OSSH-së dëmet që ka shkaktuar rënia e zjarrit kanë qenë të konsiderueshme. Pas shuarjes së zjarrit u konstatua se ishin dëmtuar rënde disa fidera të linjave 20 KV dhe 6 KV, si dhe ishin bllokuar nga bloza panelet kryesore të këtyre linjave. Si pasojë e kësaj avarie të rëndë mbetën pa energji: Shkoza, Uzina Traktori, Rruga Budi, Qyteti Studenti. Porcelani, Sanatoriumi, Ali Demi, Lundra e Farka. Pas shuarjes së zjarrit brigadat e punës së OSSH nisën punë për riparimin e defekteve. Por pavarësisht punës së bërë, energjia elektrike u rikthye vetëm dje gjatë orëve të mesditës. Që pas përmirësimit të situatës hidrike në vend nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, përjashto rastet kur ka defekte në nënstacione apo në linjat e tensionit të lartë. Duke qenë se niveli i ujit në liqenin e Fierzës është drejt pikës maksimale KESH ka nisur tashmë eksportin e energjisë elektrike drejt Greqisë dhe Kosovës. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti, që KESH nënshkruan kontrata eksporti energjie. Një gjë e tillë u bë e mundur vetëm pas përmirësimit të situatës hidrike në kaskadën e Drinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›