“Motorola” vjen me modelin “Evoke QA4”
Kur merren parasysh vështirësitë nëpër të cilat po kalon njësia e Motorola-s për prodhimin e celularëve, secili model i tyre shihet me vëmendje të veçantë. “Evoke QA4” nuk do të nxisë revolucion, në këtë rast bëhet fjalë për një celular interesant. Prej një kohe të gjatë “Motorola Evoke QA4” është në qendër të vëmendjes dhe vetëm tani është paralajmëruar se do të dalë në treg. Çmimi nuk bëhet i ditur për momentin, por bëhet fjalë për një pajisje rrëshqitëse me ekran të ndjeshëm në prekje prej 2.8 inçësh dhe rezolucion WQVGA, fotoaparat prej dy megapikselash, 256 MB të memories të brendshme me mundësi të zgjerimit me anë të kartelave të memories microSD, aGPS dhe stereo Bluetooth. Tingëllon si një konkurrencë e lirë për të popullarizuarin iPhone dhe pajisjet e tjera me ekrane të mëdha të ndjeshme në prekje, megjithatë na duhet të presim edhe lajmërimin zyrtar të çmimit.
“LG GD900”, celulari i parë me tastierë të xhamtë
Këtë javë do të zhvillohet panairi i celularëve dhe risia më e fundit ka të bëjë me një celular jo të zakonshëm. Bëhet fjalë për modelin “GD900” të kompanisë “LG”, e cila është prezantuar për publikun në muajin shkurt të këtij viti në konferencën Mobile World Congress (MWC) në Barcelonë. Tani kjo pajisje është e gatshme të dalë në tregjet botërore. “LG GD900” hyn në kategorinë e pajisjeve rrëshqitëse, tastiera e së cilës në tërësi është e përpunuar nga xhami. Pajisja ka lidhje 7.2Mbps HSDPA, ekran tre inçësh të ndjeshëm në prekje, player multimedial dhe karakteristika të tjera që përkojnë me këtë lloj pajisjeje. “GD900” në tregun europian dhe atë aziatik do të duhej të paraqitej gjatë muajit maj të këtij viti, me çmim tani për tani të panjohur.
4 Prill 2009