E Diel, 1 Nëntor 2026

Woods kërkon falje për zhgënjimet dhe mundësi për ta besuar sërish

Deklaratat Për herë të parë pas skandaleve seksuale, kampioni i golfit përballet me publikun

Tre muaj pas plasjes së skandalit që përfshiu një nga lojtarët më të famshëm dhe më të suksesshëm të botës, Tiger Woods, ai ka dalë në publik në konferencën e parë për shtyp. Me lot në sy dhe shumë i prekur para gazetarëve ka kërkuar falje, duke thënë se i vinte shumë keq që kishte zhgënjyer njerëzit me sjelljet e tij “të papërgjegjshme dhe egoiste”.

Ai ka bërë një deklaratë publike me një grup gazetarësh dhe njerëzish të tjerë të caktuar prej tij, mes të cilëve edhe e ëma. Për herë të parë ai deklaroi publikisht se nuk e kishte respektuar të shoqen dhe jo për një herë të vetme. “Kam qenë i pabesë, kam pasur marrëdhënie me gra të tjera dhe ajo çfarë kam bërë ka qenë e papranueshme”. Por, ndërkohë, ka mohuar faktin për shkëmbimet e dhunës, për të cilat është akuzuar se kanë ndodhur mes tij dhe të shoqes. “Ka pasur nga ata që kanë spekuluar në lidhje me ndonjë goditje të Elin ndaj meje natën e Falënderimeve. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe fakti që njerëzit sajojnë gjëra të tilla më nervozon. Elin nuk më ka goditur kurrë, as atë natë, as ndonjë natë tjetër. Mes ne të dyve nuk ka pasur asnjë episod dhune brenda mureve të shtëpisë, madje as në martesën tonë, kurrë”, ka deklaruar Woods. “Shumë nga ata që ndodhen në këtë dhomë janë shokë të mi që më njohin mirë. Shumë prej tyre kanë qeshur me mua, kanë punuar me mua, më kanë mbështetur në ditë të vështira dhe tani të gjithë kanë një arsye për të më kritikuar. Njerëzit duan të kuptojnë se si ishte e mundur që u tregova disa herë rresht kaq egoist, kaq budalla për t’i bërë gjithë ato gjëra gruas dhe fëmijëve të mi”. Ndërsa në lidhje me martesën, ai tha se me të shoqen kishin diskutuar për shumë gjëra, por që gjithçka do të mbetej mes tyre. “Unë e kuptoj që njerëzit kanë shumë pyetje, duan të dinë nëse do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë unë dhe Elin, por të gjitha mbeten mes meje dhe Elin. “Jam i ndërgjegjshëm për dhimbjen që kam shkaktuar me sjelljen time, për dhimbjen që u kam shkaktuar shumë personave që ndodhen në këtë dhomë sot. E di që kam zhgënjyer edhe shumë nga fansat e mi. Kam zhgënjyer ata që kanë punuar për mua dhe më kanë dhënë shumë me përkushtimin e tyre”.

Woods, ndërkohë, nuk ka dhënë ndonjë datë për rikthimin e tij në fushën e golfit, por ka thënë: “Planifikoj që të kthehem sërish në lojë një ditë, por tani nuk mund të them se kur do të jetë kjo ditë dhe ndërkohë nuk mund ta mohoj që mund të jetë edhe gjatë këtij viti.”

Ndërkohë Woods, që ka qenë në një klinikë intoksikimi për varësi nga seksi, gjatë këtyre muajve, tha se do të vazhdonte të përballonte problemet e tij me ndihmën e besimit budist. “E di që jam shkaktari i vetëm i asaj që më ndodhi dhe ndaj jam personi që ka nevojë për ndryshim. Kam shumë punë për të bërë dhe kam ndërmend që ta dedikoj veten. Pjesë e kësaj është edhe budizmi. Budizmi më ka mësuar që të rresht së ndjekuri impulset dhe të mësoj të vetëpërmbahem”. Deklarata e Woods nuk ishte më e gjatë se 15 minuta dhe në fund ai tha: “Shpresoj që të takoj shpejt miqtë e mi lojtarë të golfit. Në këtë dhomë ka mjaft njerëz që më duan dhe kanë besim tek unë. Sot jam këtu edhe për t’u kërkuar ndihmë. Dua t’ju kërkoj që të gjeni vend në zemrat tuaja dhe një ditë të më besoni sërish.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›