Njerëzit e periferive
Duke folur ashpër, duke i ndëshkuar, duke i penalizuar, duke u hequr fjalën edhe në ato pak herë që futen në Kuvend, kryetarja Jozefina Topalli kënaq pjesën e elektoratit që përfaqëson, elektorat i ekstremit të djathtë, siç mbetet ai i Shkodrës, që dhe sot e kësaj dite e sheh një socialist vërtet si pasardhës të Enver Hoxhës; ndërsa dëgjon se si znj. Topalli ua mbyll gojën, s’mund veç të gëzojë. Kush njeh zonjën Topalli nga afër dëshmon se është një grua e ëmbël, e hareshme dhe s’ka lidhje fare me figurën politike që ka ngritur në Kuvend. Pra ajo flet në foltore me gjuhën e atyre që e kanë zgjedhur, sjell zërin e tyre nga periferia e largët në Kuvend. I përfaqëson, aty ku ata s’mund të futen. Socialistët ç’bëjnë? Ikin. A e duan vërtetë mbështetësit e PS këtë? Nga sondazhet në Balkanweb duket që po, por votuesit në internet janë ata të zyrave, të shtëpive me PC, shqiptarët në botë. A e ndjejnë veten të përfaqësuar socialistët e periferisë në qendër, sepse periferinë dihet që e kanë të tyren? Dhe, a duan ata që të kenë politikanët në periferi apo të kundërtën? Turin në fshatrat shqiptarë e nisi fillimisht kreu i PS Edi Rama duke njohur nga afër me njerëzit dhe problemet e tyre. Tani i vazhdojnë si z. Rama ashtu dhe përfaqësues të lartë të Partisë së tij. A kanë nevojë njerëzit e thjeshtë sot vetëm të dëgjojnë të renditen hallet që ata i dinë mirë, apo duan një politikan që t’ua zgjidhë ato? Ujësjellësi në Labinot apo papunësia në Bilisht jam e bindur që janë bisedat e ditës në kafenetë dhe prania e një politikani sigurisht që e ngjyros atmosferën, ( ka efekt të shohësh në kafe fshati njerëz që sheh shpesh në televizor) por thelbi mbetet vetëm një: Kush do të na e zgjidhë hallin? Politikisht rruga e vetme dhe më me vlerë është kjo: deputeti, politikani shkon në bazë, mbledh problemet dhe i zgjidh në qendër. Në kushte normale të një vendi, si në opozitë dhe në pushtet, kjo është e vetmja mënyrë për t’i bërë punët mirë. Dje në shenjë proteste, socialistët nuk u panë fare në Kuvend, por si mund të mos zhvillohet “lufta politike” pikërisht aty? Apo të paktën dhe në derën e tij, menjëherë pas kapërcimit të atij postblloku që pengon çdo njeri të thjeshtë të afrohet. Në rubrikën e mëparshme, disa nga komentuesit në forumin e Balkanweb, refuzojnë kritikat ndaj mënyrës së protestave të PS, duke thënë...”... që të gjithë duhet të shohim se çdo bëhet me 30 prill!”. Protesta më e bukur, më dinjitoze që populli opozitar realizoi, ishte ajo e 20 nentorit 2009, ku Edi Rama deklaroi se “do të pushohej nga puna kryeministri Berisha”. Po ku jemi sot? Berisha është në punë, opozitarët sërish në protestë pa zgjidhur atë punën e madhe që synonin: Hapjen e kutive. Nga 28 qershori 2009 deri më 20 nëntor 2009 kaluan 5 muaj dhe nga nëntori 2009 me 30 prill 2010, 5 muaj të tjerë. Njerëzit përmes politikanëve duan të arrijnë aty ku ata vetë nuk munden: në Kuvend, nëpër ministri, në Kryeministri, në Presidencë. Aty ku çdo ushtar do të ngrinte armën e do të kërcënonte cilindo votues periferie, të kuq apo blu. Ja pse në Shqipëri duhet të nisë të respektohen e të vlerësohen me shumë institucionet, pavarësisht inateve, paafttësisë, hileve të qiraxhinjve të radhës. Për këta të fundit janë me vend protestat.