E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho Italia me shokoi ne fillim

Trajneri aktual i Real Madrid-it, Jose Mourinho, në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen portugeze “A Bola”, e konsideroi kalimin e tij në Itali si një shok negativ.

Megjithatë, ai veçoi Inter-in si një klub model dhe u shpreh shumë i lumtur për mundësinë që pati për të drejtuar këtë skuadër. “Kalimi im nga Chelsea tek Inter-i ishte shumë i lehtë dhe i vështirë në të njëjtin moment”, kujtoi portugezi.

”I vështirë pasi shokimi kulturor ishte shumë më i madh se ai që provova në kalimin tim në Angli. I lehtë, pasi përpara se të firmosja kontratën qëndrova i papunë për 3-4 muaj, kështu që pata kohë për të mësuar gjuhën.

Shikoja çdo ditë programet e Inter Channel, dëshiroja të kuptoja që më përpara se si ishte një ditë e zakonshme për klubin. Në fundjavë shikoja ndeshjet në telelevizor”.

Sipas trajnerit portugez, botëkuptimi italian për futbollin është shumë e vështirë të kuptohet. “Nëse nuk luan siç ata dinë, atëherë kujtojnë se nuk di të luash. Në ndeshjen time të dytë në Itali, 20 minuta nga fundi po barazonim pa gola kundër Bologna-s.

Unë hoqa një mbrojtës për të futur në lojë një sulmues si Julio Cruz dhe ai shënoi golin e fitores. Megjithatë, të nesërmen në gazeta shkruhej se unë isha i çmendur pasi kisha rrezikuar shumë dhe mund të kishim humbur”.

Megjithatë, përvoja italiane është diçka që e pasuron shumë një trajner. “Futbolli italian është taktikisht shumë i pasur, nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër. Kur në Angli një skuadër është e përgatitur taktikisht arrin të fitojë, ndërsa në Itali edhe skuadra më e vogël e ka menduar si do të mbrohet në San Siro dhe e bën këtë shumë mirë”, deklaroi Mourinho.

”Për spektakël, Chelsea-West Bromwich është më e bukur se Inter-Lecce, por për një trajner kjo e dyta është shumë më sfiduese. Cilësia më e madhe e Interit? Një skuadër që njihte kapacitet e saj dhe që ishte në gjendje të shfrytëzonte në maksimum potencialin. Do ta kujtoj gjithmonë me shumë krenari atë eksperiencë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›