Mourinho-Vilanova, në Superkupë

Jose Mourinho dhe Tito Vilanova do të jetë në bankinat përkatëse kur Real Madridi të takohet me Barcelonën në Superkupën e Spanjës, pas faljes së suspendimeve të tyre nga Federata spanjolle e Futbollit (RFEF).
Ata të dy ishin sanksionuar më parë pas incidentit në përballjen e sezonit të kaluar në Superkupë kur Mourinho ia vuri gishtin në sy Vilanovas, i cili tani është trajner i ri i Barcelonës kurse aso kohe ushtronte rolin e asistentit të Pep Guardiolës.
Mourinho ishte dënuar me dy ndeshje mos ushtrim detyre kurse Vilanova me një për shkak të reagimit. Suspendimet ishin të aplikueshme vetëm për ndeshjet e Superkupës por ato janë hequr në formë amnistie nga RFEF-ja.
“Dënimet me deri në katër ndeshje moslojë ose dënimet e stadiumeve me dy takime, nuk do të falen. Por ato më të voglat, munden”, thuhej në komunikatën e RFEF-s pas takimit të asamblesë së përgjithshme në Madrid të martën mbrëma.
Barcelona reagoi me dëshpërim ndaj vendimit. Presidenti i gjigantit katalan Sandro Rosell insistoi muajin e kaluar se do të kundërshtojë vendimin për faljen e dënimit të Mourinhos. Kurse, zëdhënësi Toni Freixa shtoi: “Ky është një shembull i keq për futbollin”.
“Presidenti Rosell në praninë e bordit të drejtorëve të Federatës shprehu keqardhjen e tij me vendimin e marrë. Ai sugjeroi se suspendimi ishte në fuqi me masat e agresionit që nuk guxon të kalojë pa u dënuar”, shtoi ai.
Ndeshja e parë e Superkupës së sivjetme – që shënon edhe fillimin e sezonit të ri mes fituesit të La Ligas, Real Madridit dhe kampionit të Copa del Rey, Barcelonës – zhvillohet në Nou Camp më 23 gusht kurse ajo e kthimit një javë më vonë në Santiago Bernabeu.