E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, i befasuar me përmirësimin e Benzemas

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e pranon se është befasuar me rikthimin në formë të Karim Benzemas, i cili të martën u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit në Francë nga magazina France Football.

Pas dy vjetësh zhgënjyes në Spanjë, kur kaloi nga Lyoni më 2009, Benzema më në fund e shfaqi potencialin e tij këtë sezon, duke realizuar 13 gola në sezonin 2011/12. Ai kërkohej vazhdimisht nga Arsenali, por nuk deshi të largohej nga Santiago Bernabeu. Gjithashtu, përfaqësuesi francez e shkroi emrin e tij në histori të ‘El Clasicos’, duke e shënuar golin më të shpejtë pas vetëm 23 sekondash.

“Në fillim të vitit nuk mund ta imagjinonim se Karimi do ta arrinte nivelin e sotëm. Mirëpo, falë punës së tij të madhe, dëshirës dhe karakterit, ai e menaxhoi mjaft mirë situatën për ta arritur statusin e ri”, deklaroi trajneri portugez.

Ndërkohë, Benzema thotë se ndihet i nderuar me këtë trofe. “Kur i shoh fituesit e kaluar si Zidane e Henry, por edhe lojtarët tjerë të mëdhenj, kjo më bën të ndihem krenar. Unë do të mundohem ta fitoj edhe Topin e Artë”, përfundoi sulmuesi francez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›