E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, më i paguari

Jose Mourinho është trajneri më i paguar në botë, sipas një studimi nga uebfaqja futebolfinance.com. Strategu i Real Madridit udhëheq në listë me pagë prej 10 milionë eurosh në vit. Pas tij vjen rivali nga Barcelona, Pep Guardiola dhe trajner i ri i Anzhi Makhachkalës, Guus Hiddink me nga 7.5. Në kategorinë e selektorëve, kryeson Ottmar Hitzfeld i Zvicrës, me pagë prej 3.6 milionë eurosh në vit.

Jose Mourinho është trajneri më i paguar në botë, sipas një studimi nga uebfaqja futebolfinance.com. Trajneri portugez i Real Madridit, i cili gjatë karrierës së deritashme ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, së pari me Porton, e më pas edhe me Interin, këtë sezon është në rrugë drejt titullit të tij të parë në La Liga.

Ai thuhet se përfiton 10 milionë euro në vit. Sipas studimit, Mourinho, në listën e trajnerëve më të paguar, përcillet nga rivali i tij i Barcelonës, Pep Guardiola dhe holandezi Guus Hiddink – tani në krye të skuadrës ambicioze ruse, Anzhi Makhachkala – të cilët kanë pagë prej 7.5 milionë eurosh në vit.

Mourinho dhe Guardiola po ashtu konsiderohen si objektiva të pronarit të Chelseas, Roman Abramovich, i cili është në kërkim të një trajneri të ri, pas shkarkimit të Andre Villas-Boasit javën e kaluar. Sa i përket vazhdimit të renditjes, menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini është trajneri më i paguar në Premierligë, me 6 milionë euro në vit.

Ish-menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti tani në Paris Saint-Germain, është i pesti, kurse top dhjetëshja kompletohet nga Jupp Heynckes (Bayern Munich), Sir Alex Ferguson (Manchester United), Kenny Dalglish (Liverpool), Arsene Wenger (Arsenal) dhe Harry Redknapp (Tottenham).

Hitzfeld, selektori më i paguar

Largimi i Fabio Capellos nga posti i selektorit të Anglisë ka bërë që tekniku i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld të jetë selektori më i paguar në botë. Sipas, futebolfinance.com, Hitzfeld kryeson me pagë vjetore prej 2.6 milionë eurosh në vit.

Pavarësisht pagës së lartë, strategu i mirënjohur gjerman ka dështuar të udhëheq Zvicrën drejt kualifikimit në Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Pas tij renditen selektori i Gjermanisë, Joachim Low me pagë prej 2.4 milionë eurosh në vit dhe selektori i Spanjës, Vicente del Bosque me 2.1 milionë euro.

Dhjetë trajnerët më të paguar në botë:

Jose Mourinho - 10 milionë euro

Pep Guardiola - Guus Hiddink - 7.5

Roberto Mancini - 6

Carlo Ancelotti - 5.9

Jupp Heynckes - 5

Sir Alex Ferguson - Kenny Dalglish - 4.8

Arsene Wenger - Harry Redknapp - 4.7

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›