E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho nuk largohet

Largimi i spekuluar i Jose Mourinhos nga Inter është “fantazi e gazetarëve”, ka thënë drejtori teknik i klubit, Marco Branca. Ndryshimet në stafin teknik kanë qenë tema kryesore e spekulimeve në javët e fundit dhe kalimi i Mourinhos nga Inter në Real Madrid ka qenë njëra prej lëvizjeve më të përfolura, sidomos pas triumfit të Nerazzurrëve ndaj rivalit të Realit, Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Mourinho do të udhëheqë Interin në finale kundër Bayern Munichut më 22 maj në Santiago Bernabeu, stadiumi ku spekulohet se mund të marrë drejtimin e gjigantit madrilen nga sezoni i ardhshëm. Inter është po ashtu në finale të Kupës së Italisë, ndërsa ka kthyer pozitën e parë në Serie A dhe janë në rrugë drejt titullit të pestë të njëpasnjëshëm pas fitores 2-0 ndaj Lazios të dielën.

Në përfundim të ndeshjes, Branca insistoi se Mourinho do të mbetet në klub, ku ka kontratë deri më 2012. “Edhe vitin e kaluar spekulohej me kalimin e Mourinhos në Real Madrid. Por, ai është i lumtur që është me ne dhe ne jemi të lumtur që e kemi. Këto janë vetëm fantazi të gazetarëve. Nuk mendojnë rreth kësaj. E ardhmja e Jose Mourinhos larg Milanos është e paimagjinueshme”, tha Branca.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›