Mourinho shikon përpara

Rikthehet Jose Mourinho. Pas një pauze, trajneri portugez i është kthyer punës duke udhëtuar drejt Beverly Hillsit për ta filluar sezonin e dytë me Real Madridin.
‘Special One’ e ka dhënë një intervistë për uebfaqen zyrtare të klubit. Ai ndihet i kënaqur, në formë dhe i relaksuar, edhe pse pati pak pushim (dy javë). Ish-trajneri i Portos, Chelseas e Interit është i mbushur me dëshirë për të filluar me atë që e quan ‘grup fantastik lojtarësh’, për kualitet dhe moshë.
“Kemi vendosur ta përmirësojmë dhe ekuilibrojmë ekipin, duke shikuar përpara. Coentrao është 23 vjeç, një më pak se Callejon. Sahin është edhe më i ri dhe Varane është një djalosh që ka 18 vjet. E kemi gjithnjë në mendje idenë për ta krijuar një ekip për të ardhmen, me përmirësime enorme në kualitet”, deklaroi Mourinho.
Ai thotë se përforcimi i radhës do të jetë në repartin ofanziv, aty ku kanë më së shumti nevojë ‘Merengues’.
“Na mungon edhe një sulmues. Neymar, Sergio Aguero e Adebayor janë tri alternativa, edhe pse jam i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion. Ta kem 90 për qind të ekipit në dispozicion në gjysmën e muajit korrik, është fantastike. Ky është një ekip që ka përpara 10 vjet të bujshëm”, vazhdoi Mou.
Po ashtu, portugezi tregon se gjatë verës do të largohen disa lojtarë nga Madridi, për t’ua lëshuar vendin përforcimeve që arritën dhe që do të vijnë. Ai ka siguruar se nuk do t’i hiqet traka e kapitenit, portierit Iker Casillas, gjë e cila spekulohej kohëve të fundit.
Mourinho thotë se do ta ketë kënaqësinë të punojë me Zinedine Zidane, i cili do ta luajë rolin e drejtorit të futbollit.
“Zidane si zyrtar ka për të dhënë shumë, por edhe ka për të mësuar shumë. Më pëlqen fakti që ai punon me ne. Ai beson se mund të japë diçka. Inteligjenca, qetësia dhe fakti se është një person totalisht i hapur dhe komunikativ, bën që ai të jetë i mirëseardhur për ne”, shtoi Mourinho.
Më 28 korrik, Mourinho duhet të paraqitet në UEFA. Ai është i sigurt se drejtësia në fund do të triumfojë, pasi që ndihet i pafajshëm. Në fund, trajneri portugez thekson se nuk po mendon ende për Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës, pasi që po përgatitet për një sezon të tërë, e jo vetëm për një ndeshje.