Ujkani mes "VIP"-ave në turneun "Sporti është miqësi"
Portieri i ri shqiptar, Sajmir Ujkani, gëzon një respekt të jashtëzakonshëm në qytetin sicilian të Palermos. Edhe pse është shumë i ri në moshë (vetëm 20 vjeç) dhe është aktivizuar vetëm në një ndeshje me skuadrën e Palermos në Serinë A (atë kundër Milanit në "San Siro" vetëm pak javë më parë), ai vlerësohet nga sicilianët për aftësitë e tij dhe seriozitetin në stërvitje. Janë pikërisht këto veti, ato që janë vlerësuar nga drejtuesit e turneut të dhjetë të futbollit për fëmijët e shkollave fillore të Bagheria, që organizohej nga "ASD Sporting Bagheria" në kujtim të matematikanit Xhuzepe Bagnera. Ky turne, ku marrin pjesë gjashtë shkolla, ka nisur dje me ndeshjet e para dhe përfundon të enjten e ardhshme. Në prezantimin e turneut, mes figurave lokale, ka qenë i ftuar edhe portieri shqiptar i Palermos. "Futbolli na jep forcë, sporti është miqësi", ishte motoja e këtij turneu.