E Diel, 1 Nëntor 2026

Moxhi: Calciopoli nuk ka ekzistuar kurrë

“Big Luçiano” komenton gabimet e gjyqtarëve, garën për titull, Murinjon dhe Juventusin

Ashtu si ndodh gjithmonë pas ndeshjeve të Serisë A, Luçiano Moxhi ka komentuar zhvillimet më të fundit në kampionatin italian. Deklarata pa doreza, të cilat vazhdojnë të nxisin mjaft diskutime përtej Adriatikut.

Gjyqtarët, nën akuzë

“Si e parashikova në vitin 2006, pas pezullimit tim, futbolli italian po dominohet plotësisht nga ekipet milaneze. Faji im ishte që dita të neutralizoja klubet nga Milano (Interin e Milanin) dhe që ndryshe nga ato arrija të ndërtoja një skuadër të fortë pa shumë shpenzime. Aftësitë e mia ishin një ‘krim’, të cilin e pagova shumë shtrenjtë. Presidentët e ekipeve kishin rënë dakord që të evitonin polemikat, por sa herë që u bëhej ndonjë padrejtësi, ata u janë kundërvënë gjyqtarëve. Shembuj janë Aldo Spineli i Livornos, që pas humbjes me Fiorentinën kërkoi ‘kokën’ e Kolinës, ndërsa Dela Vale i kërkoi të ruante qetësinë. Por, më pas, ky i fundit iu kundërvu arbitrit Roseti, pas humbjes së Fiorentinës me Milanin, ku për hir të së vërtetës ‘vjollcëve’ iu mohua një penallti. Ky është futbolli i ri i komploteve dhe i atyre që gërthasin më fort. I vetmi që kërkon uljen e toneve është Galiani, pasi tani i intereson… Por, nuk duhet të harrojmë se tre muaj më parë, ai përgatiti një dosje me gabimet e gjyqtarëve, të cilën do t’ia dorëzonte Kolinës. Leonardo thotë se nuk fitohet me arbitra, megjithatë ata e kanë ndihmuar Milanin të qëndrojë në garën për titull. Pas skenave të Murinjos, Interi fliste për komplot, por të dielën ata morën tri pikë në fushën e Udinezes, falë një penalltie neto të paakorduar për fruilanët. Të gjithë po protestojnë dhe është e qartë se ka diçka që nuk funksionon. Për aq kohë sa avokati Anjeli jetonte dhe Juventusi kishte rol kontrollues, këto gjëra nuk ndodhnin. 10 vjet përpara 2006-s, nuk kemi pasur gabime me sasi industriale. Kolina ka dështuar, gjyqtarët janë të nënshtruar psikologjikisht ndaj ‘të mëdhave’, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëjnë karrierë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo tregon edhe një herë se ‘Calciopoli’ nuk ka ekzistuar kurrë, pasi në ditët e sotme po shohim më shumë gabime”.

Murinjo dhe Porto

“Murinjo është një trajner që di si ta motivojë ekipin dhe t’i marrë maksimumin në çdo ndeshjeje. E përsëris që kam simpati për të. Ai bëhet antipatik kur jep gjykime përbuzëse rreth futbollit italian. çështja ‘Calciopoli’ ende nuk ka përfunduar, gjykimet jepen vetëm pas vendimit të gjykatës. Por, më duket e pandershme që trajneri i Interit gjykon futbollin italian dhe harron skandalin që përfshiu futbollin portugez dy vjet më parë, që u shoqërua nga skualifikime, rënie nga kategoria dhe penalizime si në rastin e Portos, skuadër me të cilën në sezonin 2003/2004 fitoi kampionatin dhe Champions-in. Murinjo, trajneri më i mirë i momentit? Për mua më të mirët mbeten Kapelo dhe Lipi, e pas tyre vjen Ançeloti”.

Gara për titull

“Interi është skuadra më e fortë, pasi ka kontingjentin më të mirë. Roma-Milan vendimtare për titull? Jo, Milani dhe Roma mund të luftojnë vetëm për vendin e dytë. Kuqezinjtë i shoh si favoritë, por vetëm sepse kanë më shumë lojtarë dhe klubi është më i fortë”.

Kriza e Juves

“Juventusi duhet të shqetësohet të shpëtojë sezonin dhe të mos flasë për vendin e tretë në klasifikim dhe gjëra të tilla. Ky klub monstrash ka vesin që nuk i kontrollon deklaratat sapo regjistron dy fitore radhazi. Do ta kenë të vështirë të renditen të katërtit: mbrojtja e ngadaltë e bardhezinjve ka shumë vështirësi përballë sulmuesve të shpejtë, si në rastin e Palermos. Alibia e Juves janë dëmtimet e shumta, megjithatë titullarët bardhezinj në letër ishin më të mirë se ata të sicilianëve”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›