Fabregas i ka idetë e qarta: Largohem në fund të kontratës
Çesk Fabregas konfirmon dëshirën e tij për t‘u larguar nga Arsenali. Ylli i skuadrës së drejtuar nga Arsen Venger do të "braktisë" skuadrën angleze menjëherë pas përfundimit të kontratës aktuale. Aktualisht, spanjolli mban shiritin e kapitenit te "topçinjtë", ndërkohë që marrëveshja me Arsenalin skadon pas gjashtë vjetësh. Në tetor të 2006-ës, ai gjeti akordin me klubin për rinovimin afatgjatë. Edhe pse ka ende shumë vjet për të luajtur në Premiership, 21-vjeçari, i cili është produkt i shkollës së Barcelonës, nuk e fsheh dëshirën që në të ardhmen të aktivizohet në kampionatin iberik. Edhe pse cilësohet si lojtari më i mirë i ekipit londinez, fituesi i Euro 2008 deklaroi gjatë një interviste për radio "Marca", se për shkak të talenteve që ka Arsenali, as ai nuk e ka vendin të sigurt në formacion. Gjithsesi, ai tha se është i lumtur dhe shumë i motivuar në "Emirates". Fabregas deklaroi: "Ndihem i lumtur tek Arsenali, kjo është arsyeja përse firmosa rinovimin afatgjatë. Më tej, askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Në futbollin e sotëm situatat ndryshojnë shumë shpejt. Fakti që jam bërë kapiten më ka motivuar, por të gjithë e dinë se një ditë dëshiroj të rikthehem në kampionatin spanjoll. Dua të luaj atje si profesionist".