E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moxhi kërcënon: Ende nuk ka dalë gjithçka

ROME- Luçiano Moxhi nuk rresht së sulmuari. Sot, i ftuar në “Matino Cinque”, ish-drejtori i Juventusit ka lëshuar një tjetër kërcënim për klubet e tjera, sidomos Interin. “Gjithçka që ka dalë tani ekzistonte edhe më parë, por mesa duket askush nuk ka dashur ta nxjerrë, - deklaroi Moxhi. – Mesa duket, ajo që bënte Moxhi e Xhiraudo ndikonte tek arbitrat, ndërsa ajo që bënin të tjerët jo. Por, janë më shumë problemetike telefonatat e të tjerëve. Unë nuk kam qenë delja e zezë e futbollit italian, kam qenë personi që ishte caktuar në një pozicion dhe të tjerët bënin çfarë të donin”.

Moxhi ka edhe teorinë e tij përse ndodhi Calciopoli. “Unë jam akuzuar sepse skuadra ime fitonte dhe fitonte se ishte më e forta, - shpjegon ai. – Nëse do të kishim humbur ndonjë ndeshje më shumë, nuk do të kishte ndodhur e gjithë kjo”. Në lidhje me mundësinë që Federata të hapë një hetim, ai shprehet: “Përpara se të bëjnë këtë, ata duhet të shohin analizën e kolonelit Aurikio, që nuk diti t’i përgjigjej asnjë prej pyetjeve që iu bënë. Dhurata për arbitrat? Këtë nuk e di. Problemi nuk është nëse emrin e Kolinës e ka përmendur Bergamo apo Faketi. Ndikuese tek arbitrat është ajo që ka bërë ish-presidenti i Interit: ka telefonuar dizenjatorin, duke i thënë të caktonte numrin 1, unë këto gjëra nuk i kam bërë kurrë”. Më pas, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit ka shtuar se ende nuk ka dalë në shesh e gjithë e vërteta. “Akoma jo. Avokatët e mi i kanë dhënë Gjykatës 75 përgjime telefonatash, që ata ishin rezervuar për t’i marrë. çfarë do të dalë prej tyre? Që të gjithë flisnin me të gjithë”.

Në lidhje me kthimin e titullit kampion të vitit 2006, që sipas djalit të Faketit, Xhenfeliçe Faketi, do të ishte një lëvizje e zgjuar, Moxhi propozon një zgjidhje tjetër: “Nuk ka dyshime se Interit nuk i takon ta bëjë këtë, por unë e kam thënë me një batutë, - shton më tej ish-drejtori i Juventusit, - që nëse ia heqin titullin Interit, duhet t’ia japin portierit të shtëpisë sime, në mënyrë që ta mbajë nën kujdestari”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›