E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtari Fatos Kongoli, “Qytetar Nderi” i Elbasanit

ELBASAN- Shkrimtari Fatos Kongoli u shpall sot "Qytetar Nderi" i qytetit të Elbasanit. Në një ceremoni ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, intelektualë, shkrimtarë e të njohur iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi” nga kryetari I Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.

Shkrimtari Fatos Kongoli e cilësoi si një nga ditët më prekëse dhe më të veçantat në jetën e tij, si një titull që i jep vendi i tij i lindjes dhe i origjinës, Elbasani.
"Kam marrë shumë çmime që kanë qenë momente gëzimi për mua, kam pasur kënaqësi që librat e mi janë botuar dhe vlerësuar dhe jashtë Shqipërisë. Por kënaqësia dhe emocioni që ndjej sot në Elbasan me titullin "Qytetar Nderi" është e pakrahasueshme" tha Kongoli.

Fatos Kongoli lindi në vitin 1944, në Elbasan. Ai njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqsuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Kongoli ka studiuar matematikë në Kinë. Pjesën më të madhe të jetës së tij ja përkushtoi matematikës, ndërsa në vitet 90të, pas-diktaturës, nisi botimin e romaneve të tij, të cilat kanë marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kongoli është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë, i çmimit Velia (2000), si dhe fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika", 2002. Në vitin 2004 është shpallur fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë". Disa nga romanet e tij janë: "Lëkura e qenit", "Bolero në Vilën e Pleqve", "Jetë në kuti të shkrepëses", "Tek porta e Shën Pjetrit", "Dragoi i Fildishtë", "ëndra e Damokleut", "Ne të tre", "I Humburi".
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›