E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani apel bankave: Tregohuni transparent me klientët

TIRANE- Banka e Shqipërisë u bën apel bankave të nivelit të dytë që të tregohen transparente me klientët, pasi qytetarët nuk kanë informacion të vazhdueshëm për kostot që duhet të paguajnë për shërbimet që marrin nga bankat. Gjatë një takimi me drejtues të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori, Ardian Fullani ka deklaruar se puna e personelit të bankave në drejtim të transprencës me klientët lë për të dëshiruar dhe kjo situatë penalizon financiarisht qytetarët.

“Në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit të kryer përsa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa patur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë të këtyre detyrimeve. Në raste të tjera, përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshëm nga ana e bankës për arsyet e detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij. Nuk përjashtohen raste kur problemi qëndron në kulturën financiare të qytetarit,por sidoqoftë duhet puna e personelit të bankës për të siguruar transprencën ndaj klientit. Mbetet e paqartë mënyra e përcaktimit të kostove nga bankat tregtare për shërbimet që ato ofrojnë” u shpreh Fullani.
Guvernatori Fullani ka kritikuar bankat edhe për komisionet e larta që ofrojnë për kryerjen e pagesave , cka nxit përdorimin e parasë kesh në ekonomi.
“Transaksionet midis klientëve të bankave të ndryshme penalizohet prej komisioneve relativisht të larta duke penguar në këtë mënyrë kryerjen e pagesave nëpërmjet bankave me pasoja të padëshiruara për ecurinë e parasë në dorë në ekonomi.” u shpreh Fullani.

Një tjetër apel që kreu i Bankës së Shqipërisë ka bërë në drejtim të sistemit bankar është dhe ai për rritje të nivelit të kreditimit. Kjo vecanërisht përsa i përket huasë në lekë, me qëllim që klientët por edhe bankat të jenë të mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›